Sot në përvjetorin e 14 të Pavarësisë së Kosovës është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës, ku të pranishëm ishin presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.
Osmani uroi qytetarët e Kosovës për 14-vjetorin e pavarësisë, ndërsa tha se kjo ditë shënon arritjen më kulminante të popullit të Kosovës në historinë e saj.
“Edhe këtë ditë dua të shfrytëzoj për t’i falënderuar dhe nderuar të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka që ne ta gëzojmë shtetin që e kemi, duke filluar nga presidenti Ibrahim Rugova, që diti ta qartësojë vullnetin e popullit të Kosovës para botës dhe të krijojë miqësi që sot i gëzojmë, e duke vazhduar me mbi 3 mijë dëshmorë që flijuan jetë e tyre”, tha presidentja, raporton Telegrafi.
Ajo tha se sakrifica për shtetin ka qenë e madhe, me mbi 13 mijë civilë të vrarë, 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale, mbi 130 mijë shtëpi të shkatërruara e mbi 1600 të zhdukur janë plagë akoma e hapur.
“Liria jonë do të plotë atë ditë kur do të ketë drejtësi, për të gjitha viktimat, atë ditë kur qytetari i fundit do të kthehet në republikën tonë, tek shteti i vet, tek familjet e tyre”, tha Osmani.
Presidentja tha se në këtë ditë festohen arritjet e Republikës së Kosovës, sepse shteti ynë është punë e përfunduar dhe më 17 shkurt 2008 është përcaktuar fati ynë si shtet i pavarur dhe sovran.
“Megjithatë sfidat vazhdojnë… në këto sfida duhet të qëndrojmë të bashkuar se historia ka dëshmuar se vetëm kur jemi të unifikuar e të bashkuar rreth qëllimit për ta bërë Kosovën të suksesshëm që i del zot qytetarëve të vet, atëherë ne mund të kemi sukses”, tha ajo.