Deputeti socialist Alqi Bllako ditën e sotme u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme anti-Korrupsion për hetimin që po zhvillon SPAK për dosjen e bujshme të inceneratorëve, që deri tani ka çuar pas hekurave, ish-ministrin Lefter Koka.
Socialisti akuzohet nga Partia Demokratike se në kohën që ka qenë sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit ka firmosur dokumente që e implikojnë për dhënien me koncesion të impianteve të trajtimit të mbetjeve.
Gjithashtu, po sipas PD-së dhe vetë Lulzim Bashës, në këmbim të firmave, deputeti ka marrë si shpërblim emërimin e të atit në inceneratorin e Tiranës me një rrogë gati 10 milionë lekë në muaj.
Por cfarë komenti ka vetë babai i deputetit? “5pyetjet.al” e kontaktoi Edmond Bllakon për t’i marrë një reagim.
“Unë jam privat, jam biznesmen, kaq”. A ka një përgjigje për PD-në? “Jo, nuk kam sot. Kur të vijë momenti do i marrin përgjigjet tëra pa merak. Përgjigjet do i marrin në kohën e duhur dhe momentin e duhur. Mos kesh merak fare” tha ai.
Sot përpos Alqi Bllakos u mor në pyetjet edhe kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
/5pyetjet.al