Kremlini ka njoftuar se ushtria ruse ka kryer testet e fundit të raketave balistike hipersonike, raketave lundruese dhe atyre me kapacitete bërthamore si pjesë e stërvitjes së planifikuar.
Stërvitjet e ushtrisë ruse po mbahen në kohën kur rritja e tensioneve mbi Ukrainën është në rritje. Mediet ruse kanë raportuar se edhe presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij bjellorus, Aleksandër Lukashenko kanë monitoruar stërvitjen e ushtrisë së Rusisë.
Prezencën e Vladimir Putin në vendin e stërvitjes dhe testeve të raketave e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. Ndërkohë sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes në stërvitje morën pjesë pothuajse të gjitha degët e forcave të armatosura, forcat ajrore, ato të raketave strategjike, por edhe flotat në Detin e Zi dhe atë Verior, të cilat kanë nëndetëse me armë bërthamore.
Stërvitjet erdhën disa orë pasi presidenti Biden këmbënguli se Putin së shpejti do ta pushtojë Ukrainën brenda disa ditësh. Rusia e mohon kategorikisht pushtimin e Ukrainës dhe akuzon perëndimin për dezinformim, pasi mediet amerikane raportuan se CIA kishte marrë vesh se pushtimi do të niste në 16 shkurt./ ora