Paraditen e sotme në ambientet e parlamentit të Shqipërisë u zhvilluan homazhet në nder të shkrimtarit Bardhyl Londo, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Personalitete të politikës, artit, por edhe figura të tjera morën pjesë në homazhe për t’i dhënë lamtumirën njeriut të letrave.
Presidenti Ilir Meta u shpreh se Londo ishte një intelektual i përmasave të larta. “Ishte detyrim për ti dhënë lamtumirën e fundit sot një intelektuali dhe patrioti si Bardhyl Londo. Jam i sigurt që një poet i këtyre përmasave, ka lënë një trashëgimi frymëzuese, për të gjithë dhe sidomos për të rinjtë. Ai gjithmonë ka qenë mbi politikën dhe ka qenë gjithmonë një intelektual i moderuar për të bashkuar dhe për të nxitur dialogun”, tha presidenti.
Deputeti Edi Paloka ka vlerësuar figurën e shkrimtarit, ndërsa ka folur edhe për kontributin e tij të çmuar në Partinë Demokratike, pasi ka qenë edhe deputet i kësaj force.
“Është nga ata njerëz që ka lënë vetëm përshtypje pozitive. Ai ishte i mençur, i urtë, dinjitoz. Për çdo njeri pasi ikën, gjejnë fjalët e duhura. Por Bardhi ishte i tillë. Ai reflektonte pozitivitet. Ai ka pasur herë pas here kontakte. Nuk ka qenë aktiv siç ishte në periudhën kur ishte deputet. Për ne Bardhi ishte i rëndësishëm për ne. Personalitetet kanë qenë pranë PD-së. Sot nuk është koha për të folur për këtë. Sot jemi në një ditë të trishtë dhe është humbje e madhe”, tha Paloka.
Preç Zogaj ndau edhe bisedat e fundit me shkrimtarin e ndjerë. “Bardhyli në komunikimin me mua, ka qenë me biseda kryesisht për poezinë, mendoj se pengu ose ajo që e shoqëroi atë në këtë etapë përmbyllëse ishte një lloj tragjedie familjare, dhimbja për bashkëshorten, një distancim prej shkrimtari. Shëmtimi është një provokacion për poetin, është edhe armiku i poetit. Identiteti i poezisë është e bukura” u shpreh Zogaj.
/5pyetjet.al