-sidi education-spot_img
30.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Meta: Pazari që bëri Edi Rama me grekët për detin dhe Himarën

Kryesoret

Artikulli i plotë i Ilir Metës nga burgu

Të gjithë ata që kanë ndjekur deklaratën e Kryeministrit Rama më 20.10.2020 në krah të Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Dendias, janë gëzuar sepse kanë thënë epo më në fund kjo Çështja e Detit, që na çmendi për 11 vjet u zgjidh me drejtësi e mirëkuptim midis dy palëve.

Por ata pak persona që ishin në brendësi të historisë dhe dinamikës së kësaj çështjeje e kuptuan se në ato momente Kryeministri i Shqipërisë po bënte me zell të shfrenuar Zëdhënësin vullnetar të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ndaj edhe shefi i diplomacisë greke aprovonte me kokë, me shumë kënaqësi, këtë “dakordësi” midis dy palëve, ndërkohë që në ekran në ato momente ishte vetëm një palë, pra pala greke (Ministri me Zëdhënësin vullnetar).

Është e provuar me dokumenta shtetërore të klasifikuar për 50 vite se diplomacia greke nën drejtimin e “Demokracisë së Re” donte të zhbënte të gjithë procesin negociator të zhvilluar në vitin 2018, që favorizonte Shqipërinë, e cila ishte dëmtuar nga Marrëveshja e vitit 2009 për shkak të lojërave të dyfishta, që i kishte denoncuar vetë “patrioti” i madh Edi Rama, atë kohë në opozitë, deri në Gjykatën Kushtetuese e cila jo vetëm e konsideroi antikushtetuese Marrëveshjen e vitit 2009, që “çuditërisht” nga ana formale, jo vetëm kishte përjashtuar plotfuqinë e Presidentit të Republikës, por kishte shkelur edhe Urdhrin e Kryeministrit.

Jo vetëm kaq, por falë investimit të vetë Edi Ramës në opozitë atë kohë Gjykata Kushtetuese nxori një vendim të posaçëm detyrues se si duhej të negociohej një marrëveshje si kjo apo e ngjashme me të.

Pikërisht, në respekt të këtij vendimi por edhe zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje me Greqinë, në bashkëpunim të plotë me Qeverinë dhe propozimet e saj, nga unë, si President i Republikës, u dha Autorizimi Nr.733, datë 19 mars 2018, dhe Plotfuqia për grupin negociator.

Pasi u bë një punë voluminoze dhe u dakordësua në nivel teknik mbi 80% e çështjeve të mbetura, papritur pala greke kërkon që për çështjet e mbetura, negociatat të zhvilloheshin bazuar në vullnetin politik të dy palëve.

Për këtë arsye, unë takohem në Presidencë me Kryeministrin Rama, më 13 qershor 2018 dhe biem dakord që këto çështje të mbetura t’i negocionte ai në bazë të vullnetit politik me palën greke për ta mbyllur këtë çështje përgjithmonë në interesin e dyanshëm dhe para zgjedhjeve në Greqi.

Natyrisht, që të bëhej kjo duhej një Autorizim plotfuqishmërie nga Presidenti i Republikës, që mund të bëhej vetëm pas kërkesës zyrtare për t’u pajisur me të nga Kryeministri.

Një kërkesë e tillë nuk erdhi kurrë sepse Edi Rama u urdhërua të mos e mbyllte marrëveshjen. (Nga kush?!)

Ndërkohë u shpik mashtrimi, që iu servir palës greke, por edhe opinionit se pengesë po bëhej Presidenti Meta.

Ndaj pas 3 muajsh pritjeje, më 21 shtator 2018, me shkresën Nr. 327/9 i kërkoj Kryeminstrit Rama të sillte kërkesën për Autorizimin për të mbyllur negociatat me palën greke.

Pra isha unë që doja t’i jepja autorizimin dhe jo ai që e kërkonte.

Kjo më detyroi të sqaroja gjerë e gjatë edhe Z. Avramopulos, Komisioner i BE, gjatë një vizite në Tiranë, kur ai më pyeti se pse po e bllokoja unë Marrëveshjen.

Pasi e sqarova në mënyrë shteruese se “bllokimi” im ishte mashtrimi i radhës i kërkova t’i transmetonte Kryeministrit Tsipras vullnetin tim më të fortë për ta mbyllur këtë çështje përgjithmonë.

Por me zgjedhjet e korrikut të vitit 2019 dhe fitoren e “Demokracisë së Re”, e cila ishte edhe nënshkruese e Marrëveshjes së vitit 2009 për Detin, qëndrimi i Greqisë zyrtare ndryshoi.

Ajo kërkonte “anullim loje” për negociatat zyrtare të 2018 dhe dakordësimet e arritura midis dy palëve.

Por që grekët të dilnin seriozë (siç edhe janë për çështjet kombëtare) nuk donin të mohonin vetë dakordësimet e arritura zyrtarisht në vitin 2018, ndaj kërkuan një karagjoz si Zëdhënës vullnetar në Tiranë.

Pse të dilnin grekët kundër grekëve? Pse të dilte Mitsotakis kundër Tsipras? Pse të dilte Dendias kundër Kotzias? Ishte gati Edi Rama i vitit 2020 të dilte kundër Edi Ramës së vitit 2018 dhe Edi Ramës së vitit 2009. Se mos e ka për herë të parë.

Si mund ta humbte këtë rast kameleoni Kryeministër?

Aq më tepër në kushtet kur opozita kishte braktisur Kuvendin dhe askush nuk mund t’i kërkonte llogari.

Për më tepër që në Hagë do e çonte “zgjidhjen”, pra në Hollandën e “kryeopozitarit” të asaj kohe.

“Shumë mirë” që Kryeministri i Shqipërisë u dakordësua me palën greke.

Po dakordësimin brenda palës shqiptare si e formësoi dhe zyrtarizoi?

Në bazë të cilit akt kushtetues, ligjor apo administrativ?

Si “hazërxhevap” që është mund të përgjigjet se ai, Kryeministri Edi Rama u dakordësua me Ministrin e Jashtëm, Edi Rama dhe kaq ishte e mjaftueshme në atë kohë!! E ç’rëndësi ka që është i njëjti person, a janë dy funksione të ndryshme?!

Si të mos mjaftonte ky shkelmim i negociatave zyrtare të vitit 2018 dhe arritjeve të tyre në interes të Shqipërisë, kur pala greke shpalli 12 milje ky bëri hosana me vrap edhe mediatikisht, ndërsa duhej të ndiqte rrugën e duhur sipas së drejtës ndërkombëtare për t’u ankuar për këtë veprim të njëanshëm.

Për një sms të Ramës dhe Veliajt, Shqipëria humbi në arbitrazh ndërkombëtar mbi 120 milion dollarë nga kompania e Beketit.

Ndërkohë që se çfarë e pret në Hagë, Edi Rama e di shumë mirë edhe nga “Omnis Strategy”, kompania (e zonjës Blair) që ky e pagoi 3 milion euro si konsulencë për këtë çështje, konkluzionet e së cilës nuk u bënë kurrë publike. (Po pse?!)

Ndërkohë për të mbuluar këto krime kushtetuese, ligjore dhe kombëtare në zgjedhjet lokale të 2023 shpiku historinë patriotike kundër Fredi Belerit, i cili edhe u rrëmbye në mënyrë mafioze dhe që prapë për dreq fitoi.

Grekët u “mërzitën” për Belerin dhe Himarën, por për pak kohë, pasi zgjedhjet lokale në fund bëhen çdo 4 vjet, ndërsa deti ndahet përgjithmonë.

Për më tepër që Rama, një grek të vetëshpallur himariot e zëvendësoi me një grek të çertifikuar si të tillë prej shekujsh dhe nga Dropulli.

Kështu që “win–win” vajti edhe Himara. Por Haga është krejt ndryshe. Ajo është një humbje e paralajmëruar nga të gjitha drejtimet dhe e pakuperueshme për interesat tona kombëtare, përgjithmonë.

Dhe për t’u provuar grekëve se histerinë patriotike të vitit 2009 e kishte vetëm një lojë pushteti kundër Berishës dhe asgjë më shumë, vuri edhe “qershinë mbi tortë”, Kryenegociatorin e Marrëveshjes së vitit 2009 si Ministër të Jashtëm, duke dashur të bëjë “idiotë” përgjithmonë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por të gjithë shqiptarët në botë (dhe sidomos socialistët).

Ah harrova edhe në kuadrin negociues në BE u kujdes të vendosej edhe zgjidhja e mosmarrëveshjes me fqinjët.

Pra alibia se për hir të integrimit do lëshojmë pak sovranitet se na e kërkon BE, të cilës ia kërkuam vetë këtë kusht se ashtu është një “muhabet”, i cili mund t’i kushtojë dhjetra apo qindra miliardë euro shqiptarëve.

Por në fund të fundit, arsyeton shakaxhiu i integrimit, këta “idiotët” që vazhdojnë paguajnë qindra milion euro për një incenerator që nuk ekziston, pse do shqetësohen për dhjetëra apo qindra miliard euro në fund të detit që nuk mund t’i shohin dot sot.

Shenim

Foto nga konferenca e përbashkët për mediat Rama–Dendias, më 20.10.2020, në Tiranë.
Letra informuese e Presidentit të Republikës, Z. Ilir Meta, drejtuar më 21 korrik 2022 Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit