Në vazhdim të takimeve me liderë shtetëror dhe të organizatave ndërkombëtare, në margjina të Konferencës për Siguri në Mynih, Presidentja Osmani u takua me presidentin e Letonisë, Egils Levits.
Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Levits për përkrahjen e vazhdueshme që Letonia ka ofruar për Republikën e Kosovës.
Në këtë takim, u diskutua lidhur me situatën aktuale në Ukrainë, dhe ndikimin e saj në shtetet baltike dhe ato të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja Osmani ka theksuar se Rusia në vazhdimësi ka synuar dhe synon edhe destabilizimin e Ballkanit.
Ndër të tjera, në këtë takim mes dy presidentëve u diskutua edhe për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, dhe mënyrat se si Letonia mund ta përkrahë shtetin tonë në këtë drejtim.
Nga Letonia u kërkua përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave, përmes diskutimeve me shtetet anëtare, të cilat mund të kenë hezitime për këtë proces.
Presidentja Osmani tha se shtetet baltike shërbejnë si një shembull i mirë për t’u ndjekur dhe se Kosova do të vazhdoj ndërmarrjen e hapave konkret për ta avancuar statusin e vet në integrimin e mëtejshëm në strukturat euro-atlantike./5pyetjet.al