Ish-Kryeministri Sali Berisha së bashku me kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Mukën sot në Shkozet folën për zgjedhjet e 6 Marsit.
Berisha u shpreh se Emirjana Sako, kandidatja e Partisë Socialiste nuk duhet të kandidonte fare për kryetare në Durrës.
Arsyet ishin afera e inceneratorëve dhe tragjedia e tërmetit të 2019-ës.
“Zonja Sako ka gabuar rëndë që ka kandiduar. Sepse ajo ka disa hesape morale në kuptimin e firmave që ka vendosur si kryeeksperte për ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i shtatorit. Janë ato ndërtesa këtu në Durrës që kanë firmën e saj, morën gjithë ato jetë njerëzish. Kjo dosje është në Prokurori.
Prokuroria e Edi Ramës edhe mund ta mbyllë atë, por shpirtrat e atyre që s’janë më, bëjnë thirrje për drejtësi dhe ata nuk gjejnë paqe nëse zyrtarët që neglizhuan, që u treguan të papërgjegjshëm, nuk vendosen para ligjit.
Zonja Sako gjatë këtyre dy viteve që drejton bashkinë, ju jeni dëshmitar, në Tv e vendit janë dhënë dhjetëra kronika ku qytetarët denonconin padrejtësinë e saj, mosdhënien e granteve apo dhënien e ndihmave sipas përkatësisë partiake. Pra, ajo ka shkelur rëndë kodin dhe ligjet e vendit për ndihmat e tërmetit.
Zonja Sako del direkt e implikuar në aferën e djegësva. Nga taksat tuaja ajo ka vendosur 10 mln në atë aferë dhe përveç kësaj edhe pas shpërthimit të skandalit, dy javë më parë, ka disbursuar 200 mijë euro për banditët e kësaj afere”, u shpreh Berisha.
/5pyetjet.al