Prej muajsh, SHBA ka ngulmuar se Rusia do të sulmojë Ukrainë. Sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, ndërsa Biden tha në një konferencë të fundit për shtyp se gjithçka është kryer nga Moska ashtu siç ishte parashikuar dhe thënë më parë nga Amerika.
Teksa prezantoi sanksionet e reja ndaj Rusisë, ai bëri edhe një parashikim të frikshëm sa i përket objektivave të Vladimir Putin. Presidenti amerikan theksoi se lideri i Kremlinit nuk kërkon të ndalet, pasi ai synon të ringjallë ish-Bashkimin Sovjetik.
“Ai ka ambicie shumë më të mëdha se Ukraina. Ai në fakt dëshiron të ringjallë ish-Bashkimin Sovjetik. Për këtë bëhet fjalë. Dhe unë mendoj se ambiciet e tij janë krejtësisht në kundërshtim me vendin ku ka arritur pjesa tjetër e botës”.
Biden mbeti i palëkundur se sanksionet do të kenë efekt në agresionin rus pasi vendi sulmoi Ukrainën.
“Kjo do ta dobësojë vendin e tij. Ai do të duhet të bëjë një zgjedhje shumë, shumë të vështirë nëse do të vazhdojë të lëvizë drejt të qenit një fuqi e dorës së dytë apo, në fakt, të reagojë”, tha Biden.
“Nëse ne nuk lëvizim kundër tij tani me këto sanksione të rëndësishme, ai do të inkurajohet,” tha Biden.