Pas thirrjes së Monika Kryemadhit dje në parlament dhe alarmit që ngritën tregjet, kreu i shtetit Ilir Meta ditën e sotme ka mbledhur në Presidencë përfaqësues të agrobiznesit, prodhuesve dhe përpunuesve të ushqimit, si dhe të sindikatave të fushës së bujqësisë për të diskutuar mbi gjendjen dhe ndikimin që pritet që të ketë pushimi që Rusia i bëri Ukrainës. Presidenti e cilësoi gjendjen të rëndë.
“Situata e rënduar në sektorin agro-ushqimor dhe përballja me bllokimin e pritshëm të tregjeve për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, i dha tonin takimit shumë të frytshëm që pata sot me përfaqësues të agrobiznesit, prodhuesve dhe përpunuesve të ushqimit, si dhe të sindikatave të fushës së bujqësisë.
Dëgjova me shumë vëmendje shqetësimet e tyre për rritjen e kostove të prodhimit, uljen e konkurrencës dhe rrudhjen e prodhimit vendas, diskriminimin e tij të pashembullt krahasuar me importet. U angazhova për të ndërmarrë së bashku të gjitha hapat e nevojshme, për të nxitur institucionet përgjegjëse shtetërore për ngritjen dhe zhvillimin e këtij sektori jetik për vendin, me synim mbështetjen e plotë të produkteve “Made in Albania” në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë së biznesit shqiptar sidomos në tregjet europiane dhe ndërkombëtare” shprehet Meta.
Shqipëria gati 75% të grurit e siguron nga Rusia, por sanksionet me të cilat po përballet Moska pas nisjes së sulmit në Ukrainë pritet të sjellin ndërprerje të furnizimit apo rritje të çmimit.
Kryetari i Unionit Tregtar Agroushqimor, Theodhor Kristuli shprehet se konflikti Rusi-Ukrainë ka ndikuar menjëherë në rritjen e çmimit të grurit, që Shqipëria importon nga Rusia. Ai deklaroi se brenda 24 orësh, çmimi u rrit me 10%, ndërkohë që bizneset shqiptare kanë rezerva për 2-3 muaj.
/5pyetjet.al