Kryeministri Rama kërkoi të qetësonte opinionin publik në konferencën e jashtëzakonshme të së premtes sa i përket luftës që ka shpërthyer në lindje të Europës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sa i përket rrezikut që mund t’i kanoset Shqipërisë, ai theksoi se vendi ynë është pjesë e NATO-s dhe është i mbrojtur nga aleanca. Në rast të një Lufte të Tretë Botërore, kryeministri theksoi se këtu nuk ka përgjigje.
“Për Ukrainën, sipas kushtetutës së NATO-s nuk e vendosur menjëherë në funksion artikullin e pestë të aleancës. E them këtë që njerëzit të kuptojnë më shumë në momente të tilla. Ka një pjesë njerëzish që janë të shqetësuar se kjo luftë mund të vijë në Shqipëri dhe ne nuk kemi avionë, raketa. Shqipëria nuk është në NATO për të pasur raketa, por ka një sërë prioritesh të veta, ka një plan të vetin për rritën e fuqizimit të ushtrisë. Do të kemi avionët e NATO-s në Kuçovë. Sigurisht që nëse shpërthen Lufta e Tretë Botërore është diçka që nuk e parashikojmë dot. Nuk jemi fare në këto kushte. Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe ka impakt real në ekonomi, padiskutim. Ne jo vetëm që nuk jemi vetëm, por jemi me më të fortët”, tha Rama.