“Vladimir Putin vendosi të sulmojë pa mëshirë Ukrainën pasi pa tërheqjen tonë nga Afganistani. Putin është një njeri inteligjent, ndërsa liderët tanë janë budallenj”.
Kështu deklaroi ish-presidenti i Shteteve, Donald Trump gjatë një fjalimi në konferencën e konservatorëve ku gjithashtu e cilësoi si sulm kundër njerëzimit vendimin për të hyrë ushtarakisht në Ukrainë.
“Për mua do të ishte shumë e lehtë për t’i dhënë fund kësaj farse që po ndodh”, shtoi Trump duke folur dhe për afrimitetin e tij me Putin.
Ndërkohë, në Ukraina vijojnë luftimet e ashpra. Gjatë natës, forcat ruse arritën të marrin nën kontroll Nova Kakhovka, i cili është një qytet i vogël, por i vendosur në një pikë strategjike në lumin Dnieper dhe që furnizon drejtpërdrejt me kanale uji gadishullin e Krimesë.
Kryebashkiaku i saj, Volodymyr Kovalenko, ka deklaruar se trupat ruse kanë kapur komitetin ekzekutiv të qytetit dhe kanë hequr të gjithë flamujt ukrainas nga ndërtesat.
Analistët kanë vënë në dukje se avancimi i Rusisë nga jugu ka qenë një nga më të suksesshmit deri më tani, me forcat ruse që kërcënojnë qytetet Kherson, Mykolaiv dhe Melitopol.