Presidenti Ilir Meta ishte ditën e sotme në ambasadën ukrainase në Tiranë për t’i shprehur mbështetjen diplomatit Volodymyr Shkurov. Në përfundim të takimit që zgjati për gati 30 minuta, kreu i shtetit shqiptar, pasi e cilësoi Presidentin rus agresor të pabesë, tha se Tirana do të ndihmojë Kievin brenda mundësisë mesa të mundet.
“Një popull europian që ka dhënë aq shumë për lirinë e Europës në të kaluarën dhe sot që po jep një shembull frymëzues, për të mbrojtur, jo vetëm shtetin e tyre, jo vetëm dinjitetin e tyre, por edhe vlerat më të mira europiane. Ndaj jemi në krah të Ukrainës dhe presidentit Zelensky, jemi për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e pafajshme dhe të gjithë të lënduarit nga ky agresion i pabesë dhe i pajustifikuar.
Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet me të gjitha vendet demokratike për të nxitur, jo vetëm armëpushimin dhe rikthimin e dialogut dhe rrugëve diplomatike të ndalimit të kësaj lufte. Ne besojmë se vetëm rruga e dialogut nga pozita të barabarta janë zgjidhje. Ne jo vetëm si vend anëtar i NATO-s, por edhe kandidat për në BE, jemi në një linjë të plotë me NATO-n dhe BE-në. Brenda gjithë mundësive tona do të marrim përgjegjësitë tona” tha Meta.
Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov pasi e falënderoi Ilir Metën, tha se kreu i shtetit shqiptar si përpara sulmit dhe tani ka qenë ndër të parët që ka shprehur hapur mbështetjen duke qëndruar pranë. Ai tha se Ilir Metës i përcolli falënderimet e presidentit Zelensky për mbështetjen në këtë moment shumë të vështirë për popullin ukrainas.
/5pyetjet.al