Sot Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që dënon sulmin rus mbi Ukrainë, ndërsa Lista Serbe u largua nga salla në momentin e votimit. Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje pesë vendeve të BE-së (Greqisë, Qipros, Sllovakisë, Spanjës dhe Rumanisë) që të njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka thënë se “në dritën e këtij agresioni, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës përbën cenim për sigurinë e kontinentit evropian”.
Ai tha më tej se qeveria do ta përshpejtojë aplikimin në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare. “Vitin e kaluar bëmë të ditur se ne do të aplikojmë për anëtarësim këtë vit në Bashkimin Evropian, këtë proces do ta përshpejtojmë, njëjtë siç do të përshpejtojmë aplikimin për anëtarësim për Këshill të Evropës dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, njëkohësisht do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e NATO-s, duke filluar së pari me Partneritetin për Paqe”, tha Kurti në Kuvend.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se me këtë rezolutë Kosova e rreshton veten krahas demokracive të mëdha. “Ukraina është në ditën e tetë të agresionit rus. Në ditën e tetë të tronditje botërore, ukrainasit po mbrojnë jo vetëm themelet e një shteti, por po mbrohen vlerat njerëzore.
Me këto vlera është e lidhur edhe Kosova. Ky unifikim demokratik ridizajnoi ekonominë dhe forcoi BE-në. Kosova natyrshëm u rreshtua me botën demokratike. Ky rreshtim i jep kuptim vendit tonë. Fqinji ynë verior do të mbetet i vetmi në mbështetje të Rusisë. Ky qëndrim nuk është i ri as për Kosovën. Ky fund ka një përfundim anëtarësimin ne NATO. Kosova duhet të shfrytëzojnë këtë momentum gjeopolitik. Le të nisim një fushatë lobuese për të siguruar njohjen nga 5 shtete e më pas edhe në NATO”, tha ai.
Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që qeveria të ofrojë mbështetje konkrete për Ukrainën.
Memli Krasniqi theksoi se qeveria duhet të ndajë një fond të veçantë dhe që të pranohen 5 mijë refugjatë nga Ukraina. “E kemi shprehur mbështetjen tonë të plotë. Ne si PDK vlerësojmë se Kosova duhet të shkojë edhe një hap më tej për të ofruar mbështetjen konkrete për Ukrainën. Kemi kërkuar që Qeveria të ndajë një fond të veçantë për Ukrainën, që t’u dalë në ndihmë në këtë periudhë”, tha Krasniqi. “Kriza humaniste po merr karakter të shpërnguljes së dhunshme të Ukrainës, kërkuam nga Qeveria që në rast nevoje të mundësojë strehimin e 5 mijë ukrainasve. Duhet t’i hapim dyert e vendit tonë, që sot njerëzit janë detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre”, shtoi ai.
/5pyetjet.al









