Ditën e sotme për rritjen e çmimit të naftës që ka arritur deri në 230 lekë të reja për litër, ka reaguar nëpërmjet një videomesazhi në Facebook edhe Kryetari i PD-së, Lulëzim Basha.
Ai I ka bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë menjëherë dhe t’u vijë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve.
“Përshëndetje të dashur miq. Siç e shikoni çmimi i naftës ka arritur në 230 lekë të reja për litër. I bëj një thirrje të përsëritur qeverisë të marrë masa duke hequr taksën e qarkullimit Rama mbi karburantin, 240 lekë për litër dhe duke marrë masa të tjera shtesë për të stabilizuar në këto ditë të vështira çmimin e karburantit i cili ka një efekt të drejtpërdrejtë në mallrat dhe shërbimet bazë për të gjithë qytetarët.
Është detyra e qeverisë t’ju vijë në ndihmë njerëzve dhe bizneseve në këto kohë të vështira dhe qeveria shqiptare i ka të gjitha mundësitë duke ulur taksën që t’ju vijë në ndihmë njerëzve në nevojë në mënyrë që ju të paguani më pak për karburantin, të paguani më pak për mallrat e tjera dhe shërbimet e tjera bazë, çmimi i të cilave ndikohet drejtpërdrejt dhe rritet nga çmimi i karburantit.
Ndaj e përsëris thirrjen që qeveria t’ju vijë në ndihmë njerëzve duke bërë të mundur që çmimi i karburantit të mbahet nën kontroll përmes uljes së taksave që ndikojnë tek çmimet” tha Basha.
/5pyetjet.al