Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Bjellorusisë, Viktor Gulevich, ka dhënë dorëheqjen, duke refuzuar kështu të drejtojë luftën në Ukrainë.
Gjenerali i sanksionuar, i cili “ra dakord që trupat ruse të vendosen në kufi” nënshkroi letrën e dorëheqjes, duke thënë se nuk mund ta mbështesë sulmin rus në Ukrainë.
Gulevich argumentoi se personeli i njësisë ushtarake bjelloruse refuzoi të merrte pjesë në armiqësi dhe se Forcat e Armatosura të Bjellorusisë nuk mund të kompletonin një grup të vetëm batalioni.
Ai është në mesin e një numri zyrtarësh bjellorusë që përballen me sanksione ekonomike nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të afërsisë së tyre me presidentin rus Vladimir Putin.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha më parë se ushtria bjelloruse ka “mbështetur dhe mundësuar pushtimin rus të Ukrainës” duke lejuar trupat ruse të ndërtohen në kufirin e saj me Ukrainën.
Një skanim i deklaratës së zotit Gulevich, i cili thuhet se iu drejtua ministrit aktual të Mbrojtjes, Viktor Khrenin, shtoi se, “kryerja e punës shpjeguese me komandantët e njësive ushtarake nuk dha rezultate. Unë kam guximin të supozoj se zëvendësimi i komandantëve të këtyre reparteve ushtarake, të cilët nuk mundën të organizonin formimin e grupeve në terren, nuk do të na japë rezultatin që na duhet”.
“Për sa më sipër, kërkoj vendimin tuaj për pranimin e dorëheqjes sime”./5pyetjet.al