Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vlerësuar vendimin e Bashkimit Evropian për të zhbllokuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, duke e konsideruar këtë masë si një “sinjal të duhur” në kushtet aktuale të luftës.
Ai theksoi se kjo mbështetje është një hap i rëndësishëm për të ushtruar presion ndaj Rusisë dhe për të përshpejtuar përfundimin e luftës. Zelensky gjithashtu theksoi se Ukraina po përmbushte të gjitha detyrimet e saj për marrëdhëniet me BE-në.
“Stimujt që Rusia të përfundojë luftën e saj në Ukrainë mund të lindin vetëm kur të jenë të mjaftueshme si mbështetja për Ukrainën ashtu edhe presioni ndaj Rusisë,” tha Zelensky në X. Ai shtoi se ishte shumë e rëndësishme që paketa evropiane e mbështetjes “të vihet në funksionim shpejt.”









