Ish-zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, Gani Dreshaj e ka quajtur “Open Ballkan” si një iniciativë serbo-ruse. Dreshaj i sugjeron Edi Ramës që të heqë dorë nga kjo iniciativë dhe të mendojë më shumë për fuqizimin e rolit të shqiptarëve në Ballkan.
Ish-deputeti ka thënë se “Open Ballkan” është shpresa e vetme për Serbinë e Rusinë që të kenë rol në Ballkan.
“Edi Rama nuk e ka patur kurrë më lehtë e më mirë ta përfundojë temën e “Ballkanit të Hapur”. Kur e tëra bota demokratike po lufton projektin për fuqizimin e ndikimit rus në Ballkan, duke e shfrytëzuar Serbinë si partnere të vetme, është momenti ideal që kryeministri shqiptar të bllokojë iniciativën që më së paku ka aromë shqiptare. Pajtohem plotësisht me presidenten Osmani e cila e vlerësoi “Ballkanin e Hapur” si mjet të Serbisë për shtritrje të hegjemonisë në rajon.
Ballkanit po i shtohen kryeministat shqiptarë, ndaj na duhen iniciativa kombëtare për fuqizimin e rolit shqiptar në Ballkan, dhe jo plane ruso-serbe për të provuar alternativën e fundit në këtë pjesë të Evropës. Maqedonia e Veriut është shteti i fundit që po reflekton duke paralajmëruar anulimin e fundit të iniciativës dashakeqe “Open Ballkan”. Lufta në Ukrainë është shembulli më konkret që me Rusinë e Serbinë nuk ka besë, nuk ka shpresë demokratike, por vetëm politikë agresore” ka thënë Dreshaj në reagim.