Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se gratë në politikë më shumë vlerësohen për veshjen sesa për punën e tyre. Ajo ka treguar se është ballafaquar me shumë barriera përgjatë rrugëtimit të saj politik.
Osmani ka uruar që fjalët “gratë” dhe “vajzat” të jenë sinonim i triumfit, suksesit dhe ngadhënjimit.
“Duhet të bashkohemi që të gjithë gra e vajza, burra e djem, të rinj e të moshuar që t’i japim frymë barazisë gjinore në shtëpi, në rrugë, në vende pune, në institucione, në komunitet e kudo tjetër”, është shprehur ajo.
Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë zotuar se objektiv i tyre strategjik është krijimi i kushteve të barabarta për gratë.
Më tej, Osmani ka përmendur sukseset në sport, art e kulturë, duke shtuar se ende vazhdojnë të frymojnë paragjykimet.
“Vajzat dhe gratë kategorizohen e etiketohen përpara se të dëgjohen e të vlerësohen. Vajzat dhe gratë sulmohen para se të respektohen e trajtohen me dinjitet. Vajzat dhe gratë refuzohen përpara se tu hapen dyert sepse gjithmonë ka një arsyetim, gjithnjë një pengesë, gjithnjë një dyshi. Për mua dhe koleget e mia që janë këtu në politikë, gjithnjë ajo çfarë veshim është më me rëndësi se ajo çka ne punojmë. Shpeshherë tentoj të mos i shpërfaq në plotni barrierat e shumta me të cilat jam ballafaquar përgjatë rrugëtimit profesional e politik”, ka deklaruar Osmani.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”.









