-sidi education-spot_img
3.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Rama “lau duart”, por si ndërhynë në treg Kurti, Micotakis dhe Vuçiç për çmimin e naftës

Kryesoret

Deri tani, në rajon nuk ka rrezik për kërcënime ushtarake nga lufta në Ukrainë, por rritja e çmimeve ka goditur rëndë ekonomitë e të gjitha vendeve. Diferenca është në reagimet e qeverive të Shqipërisë, Kosovës, Greqisë dhe Serbisë. Ndërsa në anën këtej të kufirit, Rama i la çmimet në mëshirë të tregut, drejtuesit e shteteve të tjera morën masa kundër spekulimit.

“Çmimet nuk varen nga qeveria”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë me dije qytetarët shqiptarë se duhet të përgatiten për çdo skenar, përfshirë këtu edhe për shkurtime dramatike të furnizimeve me energji ose naftë, si skenarët më dramatikë të pasojave të luftës në Ukrainë. Rama ngriti duart lart kur foli për rritjen e çmimeve, duke thënë se ky ishte sistemi që zgjodhëm në vitet 90, duke i lënë rrugë të lirë lojës së tregtarëve me çmimet në një moment krize.

“Çmimi i naftës nuk varet nga qeveria, nuk është qeveria që ngre apo ul çmimet e mallrave të konsumit, është tregu dhe tregu është i ndjeshëm ndaj të gjitha krizave, e jo më ndaj një lufte, Europa. Duhet të përgatitemi për çdo skenar, askush nuk e di se çfarë do të ndodh, jemi në të njëjtat kushte me pandeminë, kur nuk e dinim kohëzgjatjen, zhvillimet në dinamikën e tyre dhe kur u përgatitëm për disa skenarë. Duhet të përgatitemi psikologjikisht edhe për shkurtime dramatike të furnizimeve me energji ose naftë, ky është skenari më dramatik”, tha Rama.

Ndërhyrja e Albin Kurtit në treg

Qeveria e Kosovës vendosi një kufi në çmimet për shitjen me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të saj. Në këtë vendim thuhej qëllimi është mbrojtja e konsumatorëve dhe aty përcaktohen çmimet shitëse maksimale për tregtarët e naftës me shumicë dhe pakicë.

Pavarësisht se çmimet u rritën si pasojë e krizës së provokuar nga lufta në Ukrainë, masat e vendosura janë si në vijim:

1.1. Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes;

1.2. Te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.

Përmes këtij vendimi, Qeveria e Kosovës detyroi të gjitha depozitat dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 % të kapaciteteve të tyre, për qëllime të rezervave emergjente. Gjithashtu vendimi e obligon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Inspektorati i Tregut Qendror dhe Lokal, Administrata Tatimore e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe organet e tjera të administratës shtetërore, për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi.

Micotakis: Armiku ynë, spekulantët e naftës

Qeveria greke ka ndërmarrë një program për të mbështetur qytetarët, prodhuesit dhe fermerët pas shtrenjtimit të papritur të çmimit të energjisë elektrike dhe karburanteve. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri grek Mitsotakis i bëri thirrje tregtarëve të karburanteve që të mos spekulojnë në këtë periudhë të vështirë për vendin duke rritur çmimet në mënyrë të paarsyeshme.

“Armiku ynë nuk është vetëm lufta, por spekulimet në tregun e gazit dhe naftës”, tha kryeministri para kabinetit qeveritar mesditën e sotme sipas Protothema.

“Është koha që politikanët europianë, në rrethana ekstreme – theksoj në rrethana ekstreme, siç po përjetojmë tani – duhet të marrin masa të guximshme, radikale dhe të natyrës direkte, të cilat do ta shkëputin gjeopolitikën nga kriza energjitike“, tha Mitsotakis.

Kryeministri grek ritheksoi angazhimin e qeverisë se “mbështetja për bizneset, familjet dhe fermerët do të vazhdojë” për sa kohë të vazhdojë kriza.

“Në fakt, në dhjetë ditët e ardhshme, besoj se do të arrijmë, me ministrat përgjegjës për të shpallur një program shtesë, i cili do të ofrojë mbështetje të plotë për qytetarët, prodhuesit dhe fermerët“, tha ai.

Vuçiç: Nafta do mbetet 1.5 euro

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se shteti i tij do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit nga e enjtja e 10 marsit.

“Në dy ditët e fundit, eksporti i grurit dhe miellit është rritur aq shumë, saqë duhet ta ndalojmë”, tha Vuçiq të martën.

Duke folur për televizionin serb B92, Vuçiç tha se shteti do t’i subvencionojë derivatet për fermerët.

“Ne do të subvencionojmë që çmimi i euro-naftës në të gjitha pikat e karburantit të Industrisë së Naftës së Serbisë të mbetet së paku 179 dinarë [rreth 1.5 euro] për të paktën një muaj e gjysmë. Për të gjithë të tjerët do të ketë rritje minimale”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se Serbia është në pritje të vendimit të Bashkimit Evropian për importin e energjisë nga Rusia. Shtetet e Bashkuara e ndaluan atë të martën, si ndëshkim për Rusinë, e cila ka pushtuar Ukrainën. “Nëse vendimi është që të ndalohet importi i të gjitha burimeve të energjisë nga Rusia, atëherë edhe ne jemi në telashe. Nuk kemi ku t’i marrim, nafta dhe gazi nuk mund të bien nga qielli”, tha Vuçiç./ GSH

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit