Kryetari i PD-së, Lulzim Basha (ashtu si Gazment Bardhi më herët) u shpreh sot për mediat se deputetët që i kërkuan dorëheqjen ditën e hënë erdhën të lodhur nga qendrat e votimit dhe emocionuar. Pranoi se do të reflektonte dhe mbante përgjegjësi si gjithmonë, por nuk foli për dorëheqjen. Megjithatë krahasuar me mëngjesin e së hënës gjuha ishte më e zbutur.
“Drama brenda familjes sonë politike, ne do të merremi dhe do të dimë të përballemi me këtë. Do ta bëjmë duke nxjerrë në pah vlerat më të mira njerëzore dhe zvogëluar veset me një dialog të hapur me njerëzit që presin një PD të fortë për t’i dhënë një goditje të fortë kësaj qeverisje. Unë personalisht do të bëj gjithçka që PD të dalë nga drama e pësuar në 6 mars. Unë jam gati të bëj gjithçka për PD-në” tha ai.
Përveç dorëheqjes? “Një sekondë se ju me këtë do të nxirrni një lajm por do të shkatërroni atë që i intereson publikut. Unë jam në dispozicion të PD-së, si kryetar, anëtar dhe demokrat, por një gjë; kauza është forcimi i PD-së.
Kushdo që mendon se mund të më bëjë presion mua apo demokratëve për të na hequr nga kauza. Kam qenë dhe jam gati të bëj gjithçka. Aktualisht ne kemi nisur një proces të hënën, njerëzit vinin nga qendrat e votimit, të lodhur, të acaruar dhe të emocionuar. E kemi vazhduar të martën dhe do ta vazhdojmë në ditët në vijim” tha ai.
I pyetur nëse është gati të kandidojë përballë Sali Berishës, Agron Shehajt apo emrave të tjerë, Basha u shmang “Është gjëja më e gabuar të bëj spekulime, nuk e di që paska shpallur garë PD, Shehaj apo Berisha. Gjërat të analizohen me gjakftohtësi” tha ai.