Emmanuel Macron, Presidenti i Francës, është ai nga liderët e Perëndimit i cili ka komunikuar më shpesh me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin që nga agresioni rus në Ukrainë.
Ai ka zhvilluar një tjetër telefonatë këtë të enjte, ndërsa ka thënë se kushtet e vendosura nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, për një armëpushim në Ukrainë “nuk janë të pranueshme”.
“Unë nuk shoh një zgjidhje diplomatike në orët e ardhshme apo edhe ditët në vijim”, ka thënë Macroni para gazetarëve në Versajë përpara samitit të liderëve të Bashkimit Evropian që do të përqendrohet në pushtimin rus të Ukrainës, zgjidhjet për rritjen e çmimeve të energjisë dhe më pak varësinë nga gazi dhe nafta ruse.
Këtë të enjte, Macroni dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
Presidenti francez tha se lufta në Ukrainë është një “tragjedi njerëzore, politike dhe humanitare”, por shtoi se “do të çojë në ripërcaktimin e plotë të arkitekturës së Evropës”. “Këto janë diskutime që janë strategjike dhe historike. Ato do të çojnë sot, javët dhe muajt e ardhshëm, në vendime historike për Evropën tonë”, ka thënë Macron.