Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se Kosova është një halë të cilën presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e sheh si pengesë për projektin e vet. Ai kërkoi që NATO t’i përgjigjet Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
“Përshtypja ime është që Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan Biden e jo me presidentin ukrainas Zelensky. Synimi i tij është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Prandaj, meqë ata do të synojnë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar. Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj, tash na përmend nga disa herë në javë dhe duket qartazi se Republika e Kosovës është një halë të cilën ai e konsideron që e pengon në projektin e vet.
Le të mos harrojmë që është ky president ai i cili edhe i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji, pikërisht në vitin kur Kosova e shpalli pavarësinë, ndërkaq një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Serbisë edhe Federatës Ruse për dhënien e shumicës së aksioneve të industrisë së naftës në Serbi te Gazprom-i dhe po ashtu të bazenit të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, sërish tek Gazpromi” tha Kurti.