Qeveria nuk do të jetë e varur vetëm te privati, por do të krijojë rezervën e vet të sigurisë së furnizimit me karburant. “Qeveria do të angazhohet për të krijuar rezervën vet të sigurisë, duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija. Ky është thjeshtë për informacion” tha sot Edi Rama, teksa njoftoi masat e reja për sektorin.
Nesër do të futet në fuqi akti normativ dhe do të mblidhet për herë të parë bordi i administrimit të furnizimit me karburant ku do të jetë e pranishme qeveria, jo për të ulur çmimet, por për të shmangur spekulimet. Masa është për dy muaj.
“Nuk ka sens që një furnizues ka një çmim 250, njëri 260, tjetri tjetër, por kjo sot nuk ka për t’u toleruar. Kush do të shkojë te pika e karburantit duhet ta dijë sa po paguan dhe nuk po paguan që dikush po shfrytëzon luftën për të bërë para në kurriz të tij.
Asnjë gjë më shumë. Nuk hyjmë në rrugën pa krye të shtrëngimit të furnizuesve, jo. Ju nuk do të shkoni në darkë në shtëpi me humbje, por as me fitim, por me idenë që i shërbyet popullit në kohë lufte. Asnjë bamirësi, vetëm një shërbim” tha Rama.
Në fund të fjalimit, njëri nga furnizuesit e karburantit kërkoi fjalën për të ndërhyrë, por kryeministri nuk pranoi. “Shpresoj t’i nënshtroheni me dashamirësi këtij vendimi, për këtë arsye e drejta e fjalës kalon te mbledhja e bordit nesër.
Për këtë periudhë kohe duhet ta ndani mendjen që do të rezistoni dhe nuk do te fitoni. Nëse zgjat përtej 3 muajve është histori tjetër. Eshtë mundësi e artë të shpëlaheni nga mëkatet dhe pastaj të vijoni të fitoni” tha ai.