“Do dalim në rrugë me qindra me mijëra, po nuk ranë çmimet do të bjerë qeveria”. Me këtë moto studentët e Universitetit Bujqësor pas marshimit nga Kamza në drejtim të Ministrisë së Arsimit po bëhen gati për tubimin e orës 17:00 pasdite përpara selisë së qeverisë.
“Ne mësimin po e lëmë, cdo ditë 8 orë në punë. Ose punë ose mësim. Ose do të kthehemi nga kemi ardhur, ose të luftojmë deri këtu ku kemi arritur, nuk kemi rrugë tjetër. Në orën 17:00 do të jemi përballë Kryeministrisë” tha njëra prej studenteve që është pjesë e protestës.
Ata u kanë bërë thirrje edhe studentëve të universiteteve të tjera që të bashkohen me protestën në orën 17:00. Sot gjithashtu pati protesta të studentëve në Korçë, por edhe qytete të tjera.
Përpos studentëve në rrugë kanë zbritur fermerët, taksistët, zjarrfikësit dhe shumë qytetarë të thjeshtë që kërkojnë uljen e çmimeve dhe paketa mbështetëse përballë rritjes galoponte të çmimeve që nga qeveria justifikohet me luftën në Ukrainë.