-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Testi i vërtetë, a do i mbyllë SHBA-BE parajsat fiskale ruse?

Kryesoret

Nga Daron Acemoglu

“Project Syndicate”

Lufta e Rusisë në Ukrainë mund të mos shkojë siç ishte planifikuar, por më e keqja duhet ende të vijë. Dhe ndërsa sanksionet financiare të Perëndimit kundër institucioneve dhe oligarkëve rusë, kanë tejkaluar atë që prisnin disa, ato nuk kanë shënjestruar“rrënjët”perëndimore të regjimit të presidentit rus Vladimir Putin.

Ashtu si tek shumë regjime të tjera kleptokratike, fuqia e Putinit bazohet tek një pakt midis një autokrati dhe oligarkëve. Autokrati e sundon vendin si të dojë dhe i pasuron aleatët e tij, të cilët grumbullojnë pasuri të mëdha nga burimet natyrore të vendit apo nëpërmjet monopoleve të sanksionuara nga regjimi.

Por ka një problem:ndërsa shtohen të ardhurat e oligarkëve, këta bëhen gjithnjë e më të shqetësuar mbi fuqinë e autokratit për të sekuestruar pasuritë e tyre apo për të dëmtuar familjet e tyre. Në këto kushte kanë në dispozicion 2 opsione.

I pari është zhvillimi i institucioneve formale dhe de facto për ta kufizuar autokratin, ndoshta edhe duke i hapur rrugën reformave strukturore shumë të nevojshme Opsioni i dytë është zhvendosja e pasurive dhe familjeve të tyre jashtë vendit, në mënyrë që të shmangin fatin e Mikhail Khodorkovsky, oligarkut kryesor rus, të cilin Putin e shpronësoi dhe e burgosi ​​në fillimin e viteve 2000.

Shumë oligarkë rusë kanë shfrytëzuar opsionin e dytë, që nga ana e tij kërkon dy forma thelbësore të ndihmës nga Perëndimi. Së pari, sistemi bankar perëndimor duhet t’u ofrojë atyre lehtësi nëpastrimin e pasurive të tyre.

Londra, Zvicra, Luksemburgu, Qipro, Xhersej, Bahamas dhe shumë juridiksione më të vogla si Ishujt Kajman, e kanë përmbushur prej vitesh këtë kërkesë. Po ashtu edhe bankat evropiane kanë qenë pjesëmarrëse entuziaste në këtë proces. Madje edhe sistemi financiar i SHBA-së u ka ofruar të gjithëve oligarkëve infrastrukturën që u duhej.

Së dyti, kryeqendrat financiare perëndimore duhet të mirëpresin familjet e oligarkëve, duke i lejuar ata të blejnë prona (shpesh nëpërmjet kompanive guaskë), dhe të regjistrojnë fëmijët e tyre në institucionet arsimore më të mira. Qytete si Londra dhe Nju Jorku i kanë mirëpritur oligarkët dhe të afërmit e tyre në zemër të shoqërisë së lartë.

Është e arsyeshme të supozohet se aftësia e Putinit për të krijuar një autokraci personaliste,do të ishte kufizuar ndjeshëm në rast se elitat ruse nuk do t’i kishin pasur të hapura dyer në Perëndim. Por kjo nuk është vetëm një histori më ruse.

Të pasurit që vijnë nga shumë vende të tjera – përfshirë petro–shtetet e Gjirit, Kinën, Indinë, Turqinë, disa vende të Amerikës Latine dhe Ukrainën deri pak kohë më parë – kanë siguruar gjithashtu përfitimet e tyre të paligjshme me bashkëpunimin e institucioneve financiare dhe qeverive perëndimore.

Këto marrëveshje jo vetëm që kanë ndihmuar në ruajtjen e regjimeve autokratike në Rusi dhe gjetkë, por ato kanë përfshirë edhe institucionet financiare dhe ekonomitë perëndimore. Paratë e oligarkëve i kanë transformuar tregjet financiare, duke injektuar sasi të mëdha likuiditeti, dhe duke e ndryshuar natyrën e ndërmjetësimit financiar, duke kontribuar në zgjerimin e pabarazive globale.

Që nga viti 1990, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe disa vende të tjera perëndimore kanë deficite të mëdha të llogarisë korente, të financuara nga flukset e kapitalit nga pjesa tjetër e botës. Pas 3 dekadash, sasia e parave me origjinë të dyshimtë që qarkullojnë në sistemin financiar ndërkombëtar ka arritur përmasa gjigante.

Gabriel Zucman i Universitetit të Kalifornisë, vlerëson se të paktën 8 për qind e pasurisë financiare globale (më shumë se 7.5 trilion dollarë) ruhen tani në parajsat fiskale. Dhe këtu nuk përfshihen format e tjera të parave të dyshimta që ndodhen në zemër të sistemit financiar perëndimor.

Ndaj nuk është për t’u habitur që regjimet autokratike përbëjnë një pjesë disproporcionale të madhe të këtyre aktiviteteve të parave të pista. Zucman ka zbuluar se rreth 52 për qind e të gjithë pasurisë familjare në Rusi – dhe një sasie edhe më e madhe aksionesh në shtetet e Gjirit Persik – mbahen në parajsat fiskale.

Këto flukse të paligjshme, i kanë thelluar problemet sociale dhe politike në mbarë botën. Kërkesa për banesa luksoze, ka nxitur një bum të rrezikshëm të pasurive të paluajtshme në Londër, Nju Jork dhe Vankuver.

Për shkak se pronat kryesore të paluajtshme në këto qytete, zotëroheshin tashmë kryesisht nga të pasurit, inflacioni që prodhohet nga rritja e çmimit të banesave e ka thelluar edhe më tej pabarazinë. Flukset e paligjshme financiare, kanë ndihmuar ndoshta edhe në bumin e jashtëzakonshëm në tregjet perëndimore të aksioneve gjatë viteve të fundit, nga i cili kanë përfituar më tej të pasurit.

Por efektet më të dëmshme mund të shihen brenda institucioneve financiare dhe fiskale perëndimore. Pranimi i parave të pista nga Perëndimi, e ka përshpejtuar prirjen drejt strukturave më të errëta të pronësisë dhe skemave komplekse që synojnë shmangien e taksave, të mbështetura nga një infrastrukturë masive bankierësh, kontabilistësh dhe avokatësh në mbarë botën.

Kur Zucman dhe kolegët e tij analizuan të dhënat nga kontrollet e rastësishme, për të përcaktuar shkallën e evazionit fiskal në SHBA, ata arritën në përfundimin se 1 për qind efamiljeve më të pasura amerikane, fsheh më shumë se 20 për qind të të ardhurave të tyre duke përdorur mjetet e ofruara nga kjo industri e pështirë.

Po ashtu, nëpërmjet“Panama Papers”, dhe më pas “Pandora Papers”, KonsorciumiNdërkombëtar i Gazetarëve Investigativë ka treguar se evazioni fiskal në parajsat fiskale është shumë më sistematik dhe më i përhapur sesa besohej zakonisht. Mijëra biznesmenë, politikanë dhe të famshëm nga e gjithë bota, janë implikuar në atë që përbën një operacion global të pastrimit të parave.

Këto skema kanë lënë një njollë turpi në demokracitë perëndimore dhe institucionet financiare. Të tronditur nga lufta e paprovokuar e Putinit, politikanët perëndimorë kanë nxituar të mbështesin sanksione të ashpra tregtare kundër Rusisë, duke e përjashtuar shumicën (por jo të gjitha) bankat ruse nga sistemi SWIFT, dhe duke ngrirë pjesën më të madhe të asteve të Bankës Qendrore ruse.

Por do të duhet më shumë guxim për të goditur evazionin fiskal dhe paratë e errëta, tani që ato janë bërë tipare integrale të sistemit aktual financiar. Por nëse ka pasur ndonjëherë një moment për të ndryshuar kursin, koha është tani.

Politikë–bërësit perëndimorë mund të frenojnë një skemë të evazionit fiskal, nga e cila përfitojnë padrejtësisht prej vitesh korporatat dhe manjatët më të fuqishëm në botë. Duke vepruar kështu, ata gjithashtu mund të mbledhin të ardhurat nga taksat shumë të nevojshme për të mbështetur infrastrukturën e re dhe programet sociale në vend. Nëse Perëndimi dëshiron ta shohë veten në anën e duhur të historisë, vënia në shënjestër e Rusisë nuk mjafton.

Shënim:Daron Acemoglu, profesor i ekonomisë në MIT, dhe bashkautor i librit “Pse dështojnë kombet:Origjina e pushtetit, zhvillimit dhe varfërisë”./ Bota.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit