Kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në aleancën Veri-Atlantike (NATO), po shihet si një hap shumë pozitiv, megjithëse rruga deri tek ky qëllim është e gjatë e me shumë sfida. Ish-ushtaraku dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja në një intervistë për Telegrafin, ka folur në lidhje me mundësitë që ka Kosova për anëtarësim në NATO dhe nevojës urgjente që të përshpejtohet anëtarësimi në këtë Aleancë, situatën në Ukrainë dhe luftës dy javëshe që po zhvillohet atje, ndikimin e kësaj lufte në Ballkan, rrezikut që i kanoset Evropës dhe konkretisht Kosovës në këtë kohë dhe për përgatitjet e FSK-së për tu anëtarësuar në NATO.
Qehaja ka theksuar se në çdo moment mund të ketë destabilizim edhe më të madh në Ballkan, pas asaj që ndodhi mes Rusisë e Ukrainës. Ligjëruesi i çështjeve të sigurisë e sheh si shumë të nevojshme që të shpejtohet procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO. Po ashtu, analisti ushtarak Qehaja ka thënë gjatë intervistës se ky anëtarësim nuk është i lehtë dhe nuk pritet të bëhet shpejt, duke qenë se pengesa kryesore janë katër shtetet pjesëtarë të NATO-s që nuk e njohin ende Kosovën. Sipas tij, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të ngritet në gatishmëri ushtarake, në mënyrë që të jetë e gatshme ta mbrojë Kosovën.
Cili mund të jetë ndikimi i luftës në Ukrainë në Ballkan dhe sa ekziston rreziku që të destabilizohet Evropa nga kjo luftë?
Ramadan Qehaja: Ju e dini që Ballkani gjithmonë ka qenë i trazuar. Ne tash e 22 vite ballafaqohemi me një shtet siç është Serbia, një aleate e ngushtë e Rusisë, për të destabilizuar situatën jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë, në Mal të Zi e gjetiu në Ballkan. Dhe, unë si analist ushtarak dhe i sigurisë, kujtoj që nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë situatë e cila është krijuar atje.
Në çdo moment mund të ndodh edhe në Ballkan një destabilizim edhe më i fuqishëm, edhe pse ne jemi ballafaquar siç thashë edhe më parë me këtë destabilizim nga forcat ruse sidomos në pjesën veriore të vendit tonë, por edhe në përgjithësi këtu në Kosovë. Mendoj që Ballkani është tash në rend ditë, aq më shumë kur shohim se rusët po përkrahin Dodikun atje për të ndarë Bosnjën.
Pastaj, ata po përkrahin Serbinë me armatim dhe mjete tjera luftarake, vetëm e vetëm që ta kenë një forcë këtu për destabilizim në Ballkan. Situatën e kemi të qartë edhe në Mal të Zi, është një situatë shumë e pavolitshme dhe nuk dihet si do të shkojnë gjërat edhe atje. Por, për fat të mirë pjesa më e madhe e shteteve të Ballkanit, përveç Bosnjës dhe Kosovës, janë të anëtarësuar në NATO. Kjo është diçka pozitive ka mundur të ndodh sepose Shqipëria, Maqedonia e Mali i zi janë anëtare të NATO-s, pastaj KFOR-i është në Kosovë në kuadër të NATO-s është pse janë në numër simbolik këtu, por Kosova faktikisht nuk është anëtare e NATO-s.
Sa është e nevojshme në këto kohë që të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës në NATO?
Ramadan Qehaja: Në këtë kontekst unë jam i mendimit që duhet të përshpejtojmë çështjen e pranimit të Kosovës në NATO. Po flas vetëm për NATO, sepse kjo është garanca e vetme e një qetësie apo mundësie të mbrojtjes efektive në Ballkan, përkatësisht në Kosovë.
Si e vlerësoni formimin e Grupit Punues për aplikim të Kosovës në NATO?
Ramadan Qehaja: Mua më vjen mirë që përveç se janë bërë disa përgatitje, paraprake në Qeverinë e Kosovës, është formuar një komision e tjera për aplikim për tu pranuar në NATO, ne kemi edhe një aktivitet mjaftë të dendur në kuptim të formësimit të FSK-së, që ajo të jetë e gatshme në kryerjen e detyrave të parashtruara në vetëmbrojtje, apo mbrojtje të vendit, sepse ne nuk kemi pretendime kështu për territoriale e as sulmuese, por vetëmbrojtëse. Dhe, për herë të parë një Qeveri ka ndarë një shumë diçka më të madhe për të paktën këto 14 vite sa jemi shtet, 100 milionë euro që nuk janë të mjaftueshme.
Për këtë shkak është formuar edhe një fond i cili quhet Fond i Sigurisë, e që ndoshta edhe qytetarët edhe institucionet tjera, e organizatat jo qeveritare do të mund të përdorin këtë fond për të dhënë ndihmë financiare vetëm e vetëm që FSK-ja të jetë më e armatosur, të blihet armatimi, që pastaj çështjet tjera organizative të kësaj forcë të përforcohen, dhe të bëhen vlerësime të tjera mandej prapavija, logjistike të rishqyrtohet dhe kështu që të ngritet gatishmëria vepruese e kësaj Forcë.
Cilat janë sfidat/pengesat që ka Kosova për anëtarësim në NATO?
Ramadan Qehaja: Unë e përkrahi në tërësi këtë iniciativë të Qeverisë, por kuptohet që ne problemin kryesor e kemi në ato katër shtete anëtare të NATO-s që nuk na kanë pranuar si shtet, dhe kjo duhet të jetë pengesa kryesore në këtë rrugëtim tonin, i cili nuk do të jetë aspak i lehtë. Lypset një diplomaci aktive, apo pro-aktive që këto shtete të binden që të na pranojnë pas kësaj situatë të krijuar atje, pasi sikur edhe tërë Evropa është vetëdijesuar sa i përket çështjeve të sigurisë dhe mendoj që në këtë drejtim duket pasur parasysh këtë situatë.
Ky është problemi numër dy, duhet që FSK-ja duhet të ngritet në gatishmëri luftarake, në kuptimin e mbrojtjes së vendit tonë, pavarësisht se këtu kemi njësitet e KFOR-it, ka mbetur një numër simbolik i tyre, po sidoqoftë ne kemi një bërthamë të NATO-s këtu.
Më duhet ta theksoj që faktorin vendor, mbështetja në forcat tona vetanake është numër një. Ne nuk mundemi më mbështetemi në dikë që do të na ndihmojë. Kuptohet ndihmesa mund të ndodh si kolektive, sa i përket NATO-s e të tjera. Por, sidoqoftë ne nuk mund të mbështetemi në forca tjera që do të na ndihmonin, por në forcat tona vetanake para së gjithash, e pastaj edhe në bashkëveprim me forcat e NATO-s që janë këtu dhe ato në rajon. Ne duhet të përgatitemi për vetëmbrojtje.
Problemi i tretë është problemi serb, fqinji ynë verior i cili ka pretendime të vazhdueshme territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Unë parashoh që në momentin e duhur kur shterren të gjitha mundësitë di0plomatike e politike, ekziston mundësia e një sulmi të rrufeshëm në pjesën veriore të Kosovës, vetëm për të depërtuar për një kohë shumë të shkurtër në veri të lumit Ibër dhe të shkëputet ajo pjesë e territorit të Kosovës e t’i bashkohet Serbisë.
Ky është qëllimi numër një. Ka edhe qëllime tjera sa i përket Kosovës në tërësi, por kjo është e para. Prandaj, shtrohet pyetja se sa jemi të gatshëm që t’i kundërvihemi në momentin vendimtar, një veprimi të tillë të mundshëm, po e them “Sulm” i cili mund të ndodh. Kjo kërkohet edhe për anëtarësim në NATO, sa je vet i aftë me forca tuat që t’i kundërvihesh një agresori, apo një shteti, pavarësisht sa është ai i fortë. Këto janë tri-katër çështje që na bëjnë të mos mendojmë që do të shkoj shpejt ky anëtarësimi në NATO.
Edhe një çështje, si vërejtje po dua ta jap. Unë po e shoh që aty-këtu ka tentativa që bisedohet me komandantin e KFOR-it në Kosovë, një gjeneral hungarez i cili është këtu, por unë mendoj që biseda, puna politike e diplomatike duhet të kryhet me kreun e NATO-s. Aty duhet ne t’i japim argumentet tona, për çka ne duam përshpejtim të anëtarësimit tonë në NATO. Duhet të japim elementet, çfatrë rrezikshmërie, në çfarë drejtimesh, me cialt forca, e të tjera. Do me thënë duhet të kemi disa biseda, shpjegime, e jo vetëm të jepen deklaratat boshe, pa shkuar për të biseduar me udhëheqësit e NATO-s.
Si e shihni në përgjithësi nga ana ushtarake zhvillimin e luftës në Ukrainë?
Ramadan Qehaja: Nuk dua të përsërisë për atë që ka ndodhur tash e dy javë në Ukrainë. Atje është bërë një sulm i papritur kundër një shteti sovran. Këtë sulm e ka bërë një super-fuqi ushtarake siç është Rusia. Gjërat po i shihni edhe vet, si po shkojnë atje. Unë kujtoj që shumë forca të mëdha ushtarake ruse janë përdorur në Ukrainë, mirëpo ajo që bie në sy për mua si ushtarak profesionistë është që është dhënë një rezistencë e jashtëzakonshme e forcave të armatosura të Ukrainës, sepse ato e kanë bërë një parapërgatitje, një riorganizimi dhe komandantët e Putinit, gjeneralët i kanë thënë që brenda dy ditëve Ukrainë do të bie, mirëpo kjo nuk ndodhi.
Siç edhe po shihet tani është një krizë humanitare atje e formuar prej njerëzve që po ikin vazhdimisht dhe diku mbi 2 milionë e gjysmë njerëz janë dal në Evropë dhe vendet tjera për të shpëtuar kokën, pleq, gra e fëmijë. Unë po e përsëris, që ata atje e kanë një mbrojtje territoriale të formuar, dhe meshkujt është simptomatike atje që kthehen, për të hyrë në luftën në Ukrainë, do të thotë japin një rezistencë të hatashme siç është Rusia. Si tërësi, është bërë një destabilizim i situatës së sigurisë jo vetëm në atë pjesë të territorit ku po zhvillohen luftimet mes këtyre dy shteteve, përkatësisht tri duke nënkuptuar edhe Bjellorusinë, por faktikisht është cenuar edhe siguria evropiane, e në tërësi siguria globale dhe rrezikshmëria është shumë e madhe. /Telegrafi/