45 minuta përpara nisjes së protestës në Tiranë, që do të zhvillohet në orën 11:00 përpara Kryeministrisë, shefi i qeverisë, Edi Rama ka postuar një foto nga mbledhja e Këshillit të Ministrave duke njoftuar se po i jep dorën e fundit paketës së ndihmës ekonomike pas rritjes së çmimeve.
“Kryeministria – Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare” shkruan Rama.
Herët në mëngjes, Rama siguroi qytetarët se nga dita e sotme do të futet në fuqi bordi i administrimit dhe nuk do të ketë më abuzime me naftën.
Pjesë e bordit special do të jenë 5 përfaqësues të kompanive të furnizimit me karburante dhe përfaqësues të qeverisë, më konkretisht Ministrja e Financave, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Tatimeve, Drejtori i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës.
Kryeministri ka njoftuar se bordi do të caktojë çmimet e shitjes së naftës dhe ata që thyejnë rregullin, do të humbasin pikën e karburantit.