Për kreun e PD në Kuçovë, Ilir Koçia, Lulzim Basha nuk mund të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike pa i dhënë më parë zgjidhje situatës ku është futur forca më e madhe opozitare.
Koçia ka folur gjatë mbledhje së Kolegjit të Kryetarëve që po mbahet në selinë blu. Ai theksoi se nuk i kupton dot ata të cilët kërkojnë dorëheqjen e Bashës në gjendjen ku ndodhet PD.
“Nuk i kuptoj ata qe i kërkojnë Bashës të ikë nga PD në këtë moment kaq te vështirë, pa ofruar asnjë zgjidhje. E kuptoj se askush në PD, grup parlamentare nuk e çon nëpër mend që të vijë Berisha, por si do ta bashkojmë partinë? Kjo është pyetja sot. Si të iki Lulzim Basha dhe ta lërë PD në ciklonit e përplasjeve me Sali Berishën nuk jam dakord. Ne na duhet zgjidhja. Kryetari e ka bërë të qartë se është i gatshëm për çfarëdo lloj zgjidhje. Ne duhet të ngremë komision me dy grupet dhe persona që nuk janë as me as me ata. Ka njerëz që kanë qenë në mes të dy palëve, ka njerëz që mund të ndihmojnë në këtë moment për të gjetur zgjidhje. Mjafton mos të jenë njerëz që bëjnë pazar me Ramën. Pa gjetur më parë zgjidhje, largimi i kryetarit do ta bënte më keq situatën në PD”, tha Koçia.