Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, thotë se arrestimet zyrtarëve policorë dhe doganorë, që dyshohen për veprat penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i detyrës ose autoritetet zyrtar”, janë shenjë e vendosjes së shtetit në drejtimin e duhur.
Islami tha se arrestimet e sotme në Gjakovë dhe Prizren duhet të tregojnë vendosmërinë që krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk do të kenë vend në Kosovë.
Ai thotë se me arrestime të tilla duhet të hiqen statistikat e dëmshme për Kosovën, duke e radhitur atë si një prej vendeve më të korruptuara dhe kriminalizuara.
“Është e pamundur qe të luftohet krimi i organizuar nëse nuk luftohet krimi i organizuar institucional. Rastin e arrestimit të një numri të madh të policëve e sidomos të policisë kufitare është një shenjë qe shteti dhe drejtësia janë duke dalë në binar në mënyrë që secili qytetar ta ndiej vetën që është i barabartë me të gjithë qytetarët dhe që krimi i organizuar dhe korrupsioni në vendin tonë nuk do të ketë vend.
Uroj që sistemi i drejtësisë në Kosovë të funksionojë deri në fund dhe Kosova të hiqet nga statistikat duke filluar prej Departamentit të Shtetit amerikan dhe institucionet e tjera të besueshme, të cilat Kosovën e radhitshin një prej vendeve më të korruptuara dhe kriminalizuara. Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me atë se do ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe rezultatet e para janë dukur më herët por tash me arrestimin e këtyre zyrtarëve policorë vërehet se dora e shtetit dhe e drejtësisë është duke vepruar”, tha ai