Kandidati për president të Serbisë i koalicionit “Të bashkuar për fitoren e Serbisë”, Zdravko Ponosh lidhur me qëndrimin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë ka deklaruar se Aleksandar Vuçiç me qasjen e tij, është duke mashtruar si Perëndimin, ashtu edhe votuesit e tij.
Ndërsa duke iu referuar faktit se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka qenë gjithmonë i përfshirë në fushatën parazgjedhore të Vuçiçit dhe se ai tani është larguar, Ponosh ngre dyshimet se kjo është bërë me një qëllim të caktuar.
“Është shumë e qartë se presidenti në largim [Aleksandar Vuçiç] i garantoi diçka votuesve të tij dhe diçka tjetër botës perëndimore. Ai do t’i mashtrojë disa prej tyre dhe unë mendoj se presidenti i Serbisë nuk duhet të gënjejë askënd, votuesit apo faktorët ndërkombëtarë”, ka thënë Ponosh.