Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell deklaroi sot në Tiranë se Ballkani Perëndimor do të jetë fushëbetejë për të ardhmen mes Rusisë dhe BE-së. “Jemi të shqetësuar nga influenca e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, por keqinformimi rus, dezinforimi, propaganda dhe gënjeshtrat, këto janë rritur.
Shpjegimi që i bëhet luftës, që thuhet se po bëhet për të mbrojtur popullin rus nga gjenocidi. Është një mjet që po përdoret dhe duhej prerë dhe duhej ta mbyllnim këtë dezinformim. Ne na duhet ta kuptojmë dhe të përballemi me influencën ruse kudo.
Ballkani do të jetë një fushëbetejë për të ardhmen. Cilën rrugë do të ndjekin? Kjo rigjallëron një proces që është varur më parë, para luftës” tha ai.
Kryeministri Edi Rama i përgjigj Rusisë pas akuzave të disa javëve më parë se në Ukrainë kanë shkuar mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova. “Sa i përket propagandës ruse, ne diskutuam për përmendjen e Shqipërisë nga autoritetet e Moskës si një prani problematike në këtë konflikt, dhe akuza se Shqipëria po furnizon Ukrainën me mercenarë, së bashku me Kosovën, është një akuzë, pa asnjë bazë, kjo nuk diskutohet, kjo është e pavërtetë, por edhe shqetësuese, megjithatë ne po e ndjekim me shumë vëmendje edhe këtë aspekt.
Ndërkohë dua ta falënderoj Borrell për këtë vizitë dhe gatishmërinë që në rast se dhe unë besoj se nëse gjërat do të vazhdojnë kështu edhe për një apo dy muaj, BE do të detyrohet të bëjë diçka për të mbështetur vendet, njerëzit, dhe nëse do ta bëjë, patjetër duhet ta përfshijë Ballkanin Perëndimor, si pjesë të këtij plani. Shtrenjtimi i energjisë, apo produkteve të tjera nuk është rezultat i pozicionit që kemi marrë ne, apo BE, por rezultat i luftës”.
Borrell tha se BE nuk do ta harrojë Ballkanin në planin e masave anti-krizë. “Gjatë pandemisë ne e mbështetëm Shqipërinë. Në fillim ishim të ngadaltë. Imagjinoni një plan, ky do të përfshijë Ballkanin Perëndimor patjetër, por nuk do i japë përgjigje cdo sfide brenda natës. Ne po hapim kapacitetet tona për t’iu përgjigjur këtyre sfidave”.
Për negociatat, Rama tha se në fund “BE do të jetë e detyruar të martohet me Shqipërinë, nuk ka ku të shkojë”. “Nuk e di këtë traditën shqiptare që anulon dasmën se krushqit nuk lënë nusen të vijë, sepse dasma bëhet me marrëveshje, jo me dakordësi mes të martuarve, por po ta marr të mirëqenë, këtu nuk ka krushk që e anulon dasmën se ne jemi në dashni të madhe me Europën. Forca e dashurisë bën që të jemi gati për t’u martuar, kur Europa të thotë jam edhe unë gati dhe nuk do mjaftohet që të thotë “ju duam shumë por nuk kemi kohë të flasim tani bashkë”.
Flitet për bisedime për anëtarësim, për martesë, deklaratat e dashurisë i kemi marrë dhe do të vazhdojmë, pasi i meritojmë, pasi jemi për t’u dashur, por përgatitje për martesë nuk do të bëjmë, pasi këta nuk paraqiten jo se nuk duan, por nuk kanë kohë. Kur ta gjejnë kohë ne gati jemi, por nuk do të ketë festë të madhe, por një martesë e konsumuar pa u martuar akoma” tha ai.