Organizatat kriminale prej vitesh kanë marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm në rang global duke ndryshuar edhe mënyrën e tyre të vepruarit. Në një analizë të Huffington Post, theksohet se organizatat mafioze duke nisur nga ajo shqiptare deri tek ato ruse e kineze kanë ndryshuar strategjinë e tyre për të nxjerrë fitime kolosale dhe për të ndikuar në institucionet e çdo vendi.
“Ato kanë braktisur bizneset më pak fitimprurëse si prostitucioni, lojërat e fatit dhe zhvatja, duke u përqendruar drejt tregut ndërkombëtar. Ato fokusohen në biznese shumë fitimprurëse duke filluar nga trafiku i drogës, i armëve, trafiku i organeve të qenieve njerëzore, trafikimi i mbetjeve radioaktive, trafikimi i emigrantëve deri te mbetjet e rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Këto organizata kriminale kanë krijuar aleanca me njëra-tjetrën, duke krijuar një “sistem kriminal botëror” me rregullat e tij dhe duke krijuar një ekuilibër mes tyre, që nuk bazohet vetëm tek dhuna por edhe tek fuqia ekonomike dhe financiare. Falë diplomacisë së tyre, mafiet nuk bëjnë më luftë, por ndajnë në heshtje fitimet e biznesit të tyre në nivel global”, thuhet në analizën e Huffington Post.
Shkrimi i plotë:
Tërësia e fenomeneve politike që lidhem me rritjen e integrimit ekonomik, social dhe kulturor midis vendeve të ndryshme të botës ka përcaktuar edhe globalizimin e organizatave të mëdha kriminale.
Në Evropë kemi ‘Ndranghetan’, mafian shqiptare, Camorran (ajo e Casalesi), mafian siciliane dhe mafian ballkanike.
Në Azi është mafia ruse, mafia kineze (triada), mafia japoneze (yakuza), mafia izraelite dhe mafia turke. Në Afrikë kemi mafian nigeriane, mafian marokene, mafian tuniziane.
Në Amerikë vepron Cosa Nostra amerikane, mafia meksikane, mafia kolumbiane dhe mafia xhamajkane. Në vendet Oqeanike kemi ‘Ndranghetan, me praninë e mafies ruse, shqiptare dhe nigeriane.
Të gjitha këto organizata kriminale kanë një dimension ndërkombëtar dhe janë përshtatur në mënyrë të përkryer me fenomenin e globalizimit në shkallë botërore. Ato kanë braktisur bizneset më pak fitimprurëse si prostitucioni, lojërat e fatit dhe zhvatja, duke u përqendruar drejt tregut ndërkombëtar. Ato fokusohen në biznese shumë fitimprurëse duke filluar nga trafiku i drogës, i armëve, trafiku i organeve të qenieve njerëzore, trafikimi i mbetjeve radioaktive, trafikimi i emigrantëve deri te mbetjet e rrezikshme dhe jo të rrezikshme.
Këto organizata kriminale kanë krijuar aleanca me njëra-tjetrën, duke krijuar një “sistem kriminal botëror” me rregullat e tij dhe duke krijuar një ekuilibër mes tyre, që nuk bazohet vetëm tek dhuna por edhe tek fuqia ekonomike dhe financiare.
Falë diplomacisë së tyre, mafiet nuk bëjnë më luftë, por ndajnë në heshtje fitimet e biznesit të tyre në nivel global.
Sot ka një “gjeopolitikë të mafias” dhe është mirë që së shpejti të ndërgjegjësohemi për të në nivel ndërkontinental.
Në disa vende të botës nuk është më e mundur të fitohen zgjedhjet pa marrë parasysh mbështetjen e organizatave të mëdha mafioze që përfaqësojnë forcat reale politike dhe ekonomike të afta për të ndikuar në institucione të caktuara të një shteti dhe sektorë të ekonomisë.
Më parë organizatat mafioze kanë pasur ndikim të madh politik, ekonomik dhe gjeografik dhe tani ky ndikim është rritur në nivele tejet shqetësuese. Ky është një fenomen kriminal gjeopolitik që është më i rrezikshëm se terrorizmi ndërkombëtar, sepse ndryshe nga ky i fundit që e gjen forcën tek shfaqja, këto mafia preferojnë të mbeten të padukshme.
Ndryshimet e reja gjeopolitike globale rezultojnë në përshtatjen e strukturave dhe organizatave politike me paradigmat e reja ekonomike dhe financiare.
Vëmendja e qeverive dhe shoqërisë civile drejtohet gjithnjë e më shumë drejt asaj që duket dhe gjithnjë e më pak drejt asaj që qëndron në hije.
Të kuptuarit e metamorfozave të reja globale të krimit të organizuar përfaqëson bazën fillestare për të vepruar më pas në luftën efektive kundër tij.
Mafiat e reja duhet të studiohen gjatë evoluimeve të tyre të vazhdueshme për të analizuar diçka që nuk shihet, nevojiten mjete dhe njerëz kompetentë për ta bërë këtë.
Për të studiuar një tumor, ju duhet një onkolog, jo një ortoped. Për të studiuar mafiet e reja nevojiten ekspertë të trajnuar dhe të përgatitur siç duhet.
Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të injorojë më sfidat e reja të krimit të organizuar global që vijnë mbi të gjitha nga infiltrimi në sistemin ekonomik dhe financiar. Prandaj, kombet duhet të zhvillojnë strategji efektive për të kontrolluar ekonominë e paligjshme që sillet rreth krimit të organizuar ndërkombëtare.
Mafiat e mëdha në nivel botëror (italiane, ruse, kineze, japoneze dhe amerikano-jugore) përbëjnë fuqinë e tretë ekonomike botërore dhe janë të afta të prishin rregullat e tregut, të kushtëzojnë ekonominë dhe demokracinë. Në këtë mënyrë, gradualisht zhduket efikasiteti i sistemeve të luftës kundër mafiozëve, besueshmëria e veprimit politik dhe funksioni i shtetit ligjor.
Korrupsioni bëhet një fenomen mbizotërues dhe përgjithësisht i pranuar nga shumica e shoqërisë civile. Rezultati është pranimi gradual i krimit të organizuar.
Nëse ky evolucion do të vazhdonte globalisht, shtetet së shpejti nuk do të jenë në gjendje të garantojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve të tyre.
Nëse situata që po krijohet është kjo, pa ndërhyrje të reja rregullatore në sferën evropiane dhe ndërkombëtare mbi politikën, ekonomitë okulte dhe parajsat fiskale, duke filluar nga prishja e marrëdhënieve ekonomike dhe embargove financiare, ne nuk do të shkojmë askund për të luftuar këtë fenomen.
Kërcënimet reale janë ato që ende nuk janë perceptuar nga organet e sigurisë së shteteve. Mendoj se është koha për t’u zgjuar dhe për të filluar të reagojmë siç duhet para se të jetë tepër vonë.