Ministria e Jashtme e Rusisë ka dënuar vendimin e Malit të Zi për shpalljen “non grata” të një diplomati, por edhe politikën e ndjekur nga Maqedonia e Veriut duke i paralajmëruar për atë që i pret tashmë që u rreshtuan me Perëndimin kundër Moskës. Një zyrtare e zyrës së diplomacisë ruse tha se Moska do të ndërmarrë masa.
“Dëbimi i diplomatëve rusë nga Mali i Zi është bërë një rast i izoluar vitet e fundit dhe Moska do t’i përgjigjet Podgoricës zyrtare me të njëjtën monedhë. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ranë në ndikimin e perëndimit dhe nuk arritën të formulojnë asnjë politikë të pavarur në lidhje me Ukrainën duke iu bashkuar regjimit të sanksioneve.
Sanksionet ndaj Moskës do të godasin ekonomitë e dy vendeve dhe ato do të vuajnë sa i përket marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë. Ne i kemi paralajmëruar të gjithë për këtë për një kohë të gjatë dhe në mënyrë të përsëritur.
Linja jomiqësore e liderëve të dy shteteve ndaj vendit tonë nuk gëzon mbështetjen e popullit. Pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit për të imponuar një unanimitet shkatërrues, qytetarët e këtyre vendeve janë në gjendje të krijojnë një pamje objektive, pra të ndajnë gënjeshtrat propagandistike nga faktet” tha diplomatja.