Qeveria ka liruar nga detyra ditën e sotme zv.ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agron Taren.
Tare u emërua në këtë detyrë në dhjetor 2019.
Në vitin 2000, ai ka qenë zyrtar në Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare në MPJ, për t’u emëruar më pas drejtor i Zyrës së Minoriteteve. Nga viti 2001 deri në 2005-ën, Tare ka qenë këshilltar i Jashtëm në bashkinë e Tiranës, kur ky institucion drejtohej nga Edi Rama.
Në vitet 2002-2006, Agron Tare ka qenë anëtar i Grupit Negociator mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE, ndërsa në vitet 2014 – 2019 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll.
Deri në tetor 2019, Tare ishte drejtor i Portit të Durrësit.
Përpara se të merrte detyrën e rëndësishme në portin më të madh të vendit, Agron Tare u përfol në media se kishte probleme me drejtësinë italiane mbi bastet online, por më pas u konfirmua se Prokuroria e Barit nuk kishte ngritur asnjë akuzë ndaj tij.
Agron Tare është vëllai i drejtorit Sportiv të Lazios, Igli Tare, si dhe i aktivistit Auron Tare.
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Agron Tare, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA