Këshilli Prokurorial i Kosovës ka intervistuar kandidatët për kryeprokuror. Pak orë pas intervistimit, KPK ka publikuar listën e plotë të rezultateve të kandidatëve.
I pari në listën e publikuar është Blerim Isufaj, për të zëvendësuar kryeprokurorin në ikje, Aleksandër Lumezi.
I dyti është Shqipdon Fazliu, ndërsa pastij janë radhitur Kujtim Munishi, Armend Hamiti dhe Lulzim Sulejmani.
Pikët për secilin nga kandidatët që i hynë garës për kryeprokuror
Blerim Isufaj është vlerësuar me 98 pikë, ndërsa pas tij radhiten Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë. E më së paku pikë në këtë garë mori Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.
Në bazë të Rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, vetëm emri i Blerim Isufajt do të dërgohet për votim në KPK. Kjo pasi dallimi ndërmjet tij dhe kandidatit të dytë është më shumë se tre përqind të poentimit.
Pas fazës së ankesave që kanë kandidatët, emri i Isufajt do të shkojë për votim në KPK. E në rast se i njëjti merr dritën jeshile, emri i tij do të shkojë tek presidentja Vjosa Osmani për dekretim.