Kosova ka ndaluar përkohësisht importin e deleve dhe dhive nga qarqet e Shkodrës dhe Kukësit në Shqipëri, për shkak të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta (PPR).
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë këtë masë pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR tek dhitë në Qarkun e Shkodrës. Sëmundja prek kryesisht delet dhe dhitë dhe përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara.
Simptomat e murtajës përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje të kafshëve. Megjithatë, AUV thekson se kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
Autoritetet kufitare do të shtojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në Kosovë. AUV do të monitorojë situatën nga afër dhe do të informojë publikun dhe fermerët për çdo zhvillim të ri.









