Zv/ drejtori i policisë së Tiranës Luigj Vathi u shpreh mbrëmjen e sotme nga sheshi përpara Kryeministrisë së qytetarët nuk janë penguar që të zhvillojnë tubimin e tyre, por janë larguar nga rruga që ta vazhdojnë protestën në trotuar për të mos bllokuar qarkullimin.
“Unë dua të bëj një sqarim për protestën. Në bazë të njoftimit, policia mori të gjitha masat deri në orën 17:00. Pas një kërkese të dytë, u kemi kthyer përgjigje duke i njoftuar për lirimin e rrugës dhe vazhdimin e protestës në trotuar.
Ne nuk i kemi shpërndarë protestuesit, vetëm bëmë lirimin e rrugës. Protesta po vazhdon në trotuar përballë kryeministrisë. Ne thjesht liruam rrugën. Cdo qytetar ka të drejtë që të protestojë por pa cënuar liritë dhe të drejtat qytetarëve” tha ai.
“Ju jeni polici private e një individi, nuk jeni më policia e shtetit shqiptarë. S’ju vjen turp. Jeni kafshë, si s’ju vjen turp. Kështu e mbroni popullin ju” ishin fjalët e një protestuesi kundër policëve.
Avokati Adriatik Lapaj i bëri thirrje policisë që mos bëhen nëpunës të oligarkëve. “Ne nuk jemi armiq. I bëj thirrje drejtuesve të policisë së shteti të mos bëhen palë me oligarkët, mos bëhen nëpunës të oligarkëve, por të bëhen funksionarë të uniformës.
Ne nuk jemi duke penguar trafikun, të gjithë e dinë që ky segment ka rrugë alternative. Me stilin të mirë në mëngjes dhe ujqër në darkë nuk funksionon” tha ai. Protestuesit kërkojnë uljen e çmimeve të karburantit dhe ushqimeve.
Kërkesat e protestuesve
1. Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.
2. Pezullim i TVSH për produktet bazë të shportës.
3. Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes për fermerët.
4. Një paketë reale ndihme për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike për tejkalimin e krizës.
5. Hetim dhe mbikqyrje e koncensioneve dhe operatorëve ekonomikë që ndikojnë arbitrarisht në çmimet në treg veçanërisht në sektorin e hidrokarbureve
Këto propozime, këto masa, mbështeten në tri shtylla kryesore:
Ulje e barrës fiskale dhe hetim – Mbikqyrje për mirëfunksionim të tregut – Mbështetje për biznesin dhe shtresat në nevojë.