-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Prodhuam më shumë energji sesa na duhej në 2021, pse Rama po importon sot?

Kryesoret

Në vitin 2021, Shqipëria prodhoi më shumë energji sesa konsumi dhe kjo vetvetiu ngriti dyshimet se pse u detyruam që të importonim me çmime stratosferike, kur ishim eksportues neto.

Teksa nga njohës të fushës, kjo situatë cilësohet se ka si shkaktar edhe menaxhimin e dobët të burimeve hidrike, kompanitë publike janë mbrojtur me argumentin se energjia nuk është një produkt që nuk mund të prodhohet dhe mbahet në magazinë dhe se shitja e tepricave është bërë në momente kur konsumi vendas është mbuluar dhe ka pasur nevojë për ruajtje të parametrave që janë detyruese nga rregulloret.

Së fundmi, alarmi për situatën energjetike ishte mjaftueshëm i lartë, por dalja publike e kryeministrit Rama dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, javën e shkuar, e cila u përcoll në rrjetet sociale me humor, për një pjesë tjetër, rriti panikun.

Në këtë dalje, numri një i qeverisë tha se parashikimet mbi situatën hidrike janë pesimiste dhe se ka gjasa që megavatorë energji të arrijë në një çmim prej 1 mijë euro.

Situata, sipas Ramës, do të ketë kosto jo të vogël në sigurimin e energjisë ku deri në muajin e katërt të vitit, pritet që vlera e subvencioneve për të siguruar energji të shkojë në 320 milionë euro, shifër rekord në historikun e vendit.

“Mesatarisht, megavatori në muajin janar është blerë me 237 euro, këtë e them mesatarisht, pasi ka pasur ditë që ka kushtuar edhe 380 euro, dhe ditë kur ka kushtuar 210 euro. Në muajin shkurt, megavatori është blerë mesatarisht me 231 euro, ndërsa pritshmëria për muajin mars, mesatarisht do të jetë 500 euro, pra dyfishi asaj që kemi blerë në janar.

Kjo padyshim ishte dhe ajo një vlerë shumë e madhe. Për të kuptuar vlerën që na është dashur të shpenzojmë gjatë muajit janar për të kompensuar prodhimin e kaskadës dhe kërkesën e tregut është 32 milionë e 678 mijë e 433 euro. Në muajin shkurt, blerja nga importi është 48 milionë e 356 mijë e 732 euro.

Parashikimi për blerjen në muajin mars me çmimin që sapo ju thashë, mesatarisht 500 euro, është 100 milionë euro. Ndërkohë që parashikimi për muajin prill i pritshëm, duke qenë se kaskada do të prodhojë dhe më pak, është 134 milionë euro.

Në total, deri në muajin e katërt të këtij viti, faktikja e konsumuar dhe çfarë presim nga projeksionet do të arrijë rreth 320 milionë euro subvencion për sa i përket energjisë nga Qeveria Shqiptare dhe nga buxheti i shtetit” tha Rama.

Pyetjes nëse do të jemi para kufizimeve të energjisë apo jo, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë iu përgjigj shkurt me “jo”, për aq kohë që arrihet të sigurohet energji në tregje.

Situata hidrike pesimiste, rezerva energjetike në kaskadën e Drinit 361 Gwh

Viti 2022 pritet të jetë i vështirë dhe në aspektin hidrik nuk parashikohet të ketë ndonjë përmirësim të dukshëm. Këtë më së miri e reflektojnë të dhënat në kaskadën e Drinit, ku liqenet e hidrocentraleve mbeten në nivele të ulëta, ndërkohë që edhe prurjet janë në vlera minimale.

Korporata Elektronenergjetike Shqiptare bëri të ditur për “Monitor” se rezerva energjetike në kaskadë ishte 361 GWh, sipas të dhënave të mesditës së 11 marsit dhe prurjet mbeten minimale.

Konkretisht për hidrocentralin e Fierzës, prurjet natyrale janë  90 m³/s, për HEC-in e Komanit 50 m³/s, për HEC-in e Vau të Dejës, 10 m³/s.

HEC-i i Fierzës, në datë 11 mars është  263.73 metra, HEC-i i Komanit, 173.3 metra, HEC-i i Vaut të Dejës, 73.75 metra.

Kaskada e Drinit menaxhohet në bazë të një rregulloreje të hartuar në vitin 1988. Kjo rregullore parashikon edhe nivelet në të cilat duhet të mbahen liqenet e kaskadës gjatë dy kohëve.

Për Fierzën, për shembull, niveli i liqenit në periudhën 1 prill – 1 tetor në rregullore është në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.

Niveli i Fierzës mbetet ende larg nga shifra maksimale për këtë sezon dhe rritja këtij niveli gjatë këtyre ditëve ka qenë e ngadaltë edhe për shkak të prodhimit të lartë që po bën KESH.

Ky prodhim ishte 17 931 MWh (11 mars 2022) dhe plotësonte pjesën më të madhe të konsumit në vend. Ky i fundit, sipas të dhënave zyrtare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, luhatej në rreth 20-25 mijë MWh.

Aktualisht KESH është kompania e ngarkuar për të plotësuar furnizimin në vend sipas kërkesës së konsumit që parashikohet paraprakisht nga OSHEE.

Kompania e prodhimit ka marrë atributet e sigurimit të energjisë nga prodhimi i saj dhe blerjet në treg të lirë, për shkak të situatës së emergjencës në furnizim me energji, që nisi në tetor dhe është parashikuar deri më 15 prill të këtij viti./ Marrë nga Monitor.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit