18 persona, në mesin e tyre edhe 3 fëmijë të moshave të ndryshme, kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas një aksidenti të ndodhur mbrëmë ndërmjet katër automjeteve në Grabanicë të Klinës.
Sipas njoftimit të sotëm të policisë, të lënduarve u është ofruar trajtim mjekësor, ku shtatë prej tyre janë shtruar në spital, ndërsa 11 të lënduarit tjerë pas trajtimit mjekësor janë dërguar në shtëpi.
Policia ka njoftuar se “aksidenti është shkaktuar kur i dyshuari mashkull kosovar teksa ishte duke drejtuar makinën, nga pakujdesia ka goditur tri vetura të cilat ishin duke lëvizur në krahun e kundërt”.
Njoftimi i plotë i policisë:
AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME /Fsh. Grabanicë, Klinë , 20.03.2022-19:00. Ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë katër (4) makina. Aksidenti ka ndodhur kur i dyshuari mashkull kosovar teksa ishte duke drejtuar veturën, nga pakujdesia ka goditur tri vetura të cilat ishin duke lëvizur në krahun e kundërt. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar 18-persona (meshkuj dhe femra kosovarë), tre prej tyre fëmijë të moshave të ndryshme. Të lënduarve u është ofruar trajtim mjekësor, ku shtatë prej tyre janë shtruar në spital, ndërsa të lënduarit tjerë (11) pas trajtimit mjekësor janë dërguar në shtëpi. Rasti është duke u hetuar.