Policia e Vlorës ka vënë në pranga 3 persona. Gjatë një aksioni në mbrëmjen e kaluar, njëri prej tyre u kap pasi ishte shpallur në kërkim, e ndërsa dy të tjerët janë kapur për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit policia ka gjetur 2 armë pa leje.
Si ndodhi ngjarja ku u përfshinë të arrestuarit?
Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kalit, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokal.
Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja e mirë, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Ermali duke i thënë se kush e kishte rrahur, dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”.
Ermal Xhezo, ka mobilizuar shokët e tij si Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji, (sot të arrestuar) ku të gjithë janë armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për t’u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezot.
Teksa kanë shkuar për t’u sqaruar, janë ulur 3 minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe Nesim Hodaj. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik. Autor i vrasjes ka qenë Eduart Xhezo, i arrestuar, teksa shoku dhe kunati i tij kanë bashkëpunuar në krim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Waves”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave në kërkim. Operacioni i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”. Arrestohen në flagrancë tre persona, njëri prej tyre i shpallur në kërkim për vrasje me dashje, të mbetur në tentativë. I kërkuari dhe drejtuesi i mjetit janë kapur në flagrancë, secili me armë zjarri pistoletë me vete. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Forca e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se disa shtetas po lëviznin me armë zjarri në automjet dhe njëri prej tyre ishte në kërkim, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Waves”.
Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, Vlorë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar, si dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– K. D., 50 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë; – A. K., 21 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet në brez, një armë zjarri pistoletë. Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 04.08.2019, në lagjen “1 Maji”, Vlorë. – Sh. L., 37 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, i cili dyshohet si përkrahës i personit në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.