Nga Viktor Malaj
Botuar në DITA
Dorëheqja e z. Lulzim Basha nga drejtimi i një pjese të PD-së, pjesës më të vogël të saj, ishte e vonuar dhe e imponuar. Kjo dorëheqje nuk tregon kurrfarë vizioni, vlerash apo parimesh demokratike nga të cilat udhëhiqej dhe udhëhiqet dorëheqësi.
Për një njeri që ka ardhur thuajse nga hiçi dhe është katapultuar brenda natës në nivelet më të larta partiake dhe qeverisëse, që iu bashkua vullnetarisht një partie politike tërësisht të degraduar në parimet dhe moralin e sjelljes politike, që vetë ai s’pati kurrë një mendim apo ide origjinale, por ishte thjesht adhuruesi, mirënjohësi dhe ndjekësi i atij që këtë parti e krijoi për interesat e veta dhe e katandisi si mos më keq po për këto interesa, ky njeri pra do të ikte në mënyrë jo parimore, ashtu siç kishte ardhur 17 vjet më parë.
Ikja e tij nuk i dhëmb askujt dhe nuk i sjell asnjë dëm popullit dhe vendit. Ikja e një njeriu publik që nuk ka shkëlqyer askund dhe që s’ka arritur kurrë të ketë dhe shfaqë një individualitet politik, që nuk është shquar për ndonjë nivel të lartë inteligjence dhe, çfarë është më e rëndësishme, nuk ka shfaqur personaliteti qytetar dhe publik të admirueshëm, është ikja e asgjësë.
“Shkëlqimi” i tij si njeri publik ka qenë një artificialitet dhe iluzion i krijuar nga propaganda politike partiake, nga miklimi, përkrahja dhe makiazhi që i ka bërë atij, kryesisht, ai që kishte menduar ta vinte dikur në poltronin e vet si një kukull, fijet lëvizëse të së cilës do t’i luante vetë promovuesi në teatrin e gënjeshtërt të politikës shqiptare.
Me buzëqeshjet e shtira, shikimet tinëzare dhe imitimet artificiale të sforcuara që përpiqej t’i bënte atit të tij shpirtëror e politik, Lulzim Basha ishte një hiç politik, i padobishëm. Ashtu siç u ngjit në sferat më të larta politike e qeverisëse pa kontribute, aftësi dhe merita, po ashtu po largohet pa iu dhimbsur kujt dhe pa lënë gjurmë në historinë e politikës dhe shtetarizmit shqiptar.
Ai, personalisht, nuk ka humbur asgjë, sepse pas 17 vitesh në politikë është sot një milioner që përbetohet rrejshëm për popullin dhe të varfrit, por që në thelb s’e lidh asgjë me ta. E vetmja gjë që ka humbur është ati i tij shpirtëror Sali Berisha, i cili tani si prish asnjë punë.
Basha nuk e humbi Berishën për shkak parimesh morale e politike dhe as me vullnetin e vet, por e humbi i shtyrë nga presioni amerikan dhe nga vullneti personal për pushtet. Sali Berisha ka qenë dhe mbeti një individ me formim cubi që e kreu mirë detyrën e banditit politik në gjithë karrierën e tij. I udhëhequr nga kjo psikologji i ka zgjedhur bashkëpunëtorët e tij, ndër ta edhe Lulzim Bashën.
Ky i fundit do të duhej të jepte dorëheqjen nga drejtimi i PD-së sapo iu kërkua përjashtimi i Berishës nga Grupi Parlamentar i asaj partie. Mirëpo Basha, nuk kishte as parime dhe as aftësi për të kuptuar raportin e forcave brenda partisë. Ishte thjesht një toç.
Edhe në deklaratën e dorëheqjes ai shfaqet i tillë, as parimor dhe as inteligjent. Gjithsesi, ai nuk mund të bënte ditën e dorëheqjes atë që as ka dashur dhe as ka mundur ta bëjë përgjatë 17 vjetëve të karrierës politike. Prandaj, ndër të tjera, ai tha:
“Thellimi i krizës që përjetojmë prej vitesh ka për shkak kryesor mungesën e një qeverisjeje të përgjegjshme dhe të llogaridhënies… Një qeveri (që vjen si vullnet i njerëzve) u pengua nga masakra zgjedhore që ndali ndryshimin me 25 prill… Për të ndihmuar PD-në dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore… kam vendosur të dorëhiqem nga detyra e kryetarit të PD-së… Do të vazhdoj të punoj për këtë ringritje të PD-së rreth vlerave, parimeve dhe standardeve tona si demokratë”.
Deklarata e tij i ngjan britmës së një njeriu të sëmurë rëndë i cili, ndërsa ndodhet i shtruar në spital, bën sikur iu qan hallin njerëzve që shëtisin në bulevard dhe rënkon nga pamundësia për t’iu shërbyer atyre.
Gjatë 17 viteve të karrierës së tij politike, L.Basha nuk ka pikasur kurrfarë sjelljesh antidemokratike dhe as shkeljesh ligjore nga partia “e tij” dhe figurat drejtuese të saj. Deri kur Ati i tij politik i doli përballë (siç tha vetë, Sali Berishën nuk mund ta njohësh pa e pasur përballë) çdo gjë shkonte vaj me partinë, me moralin dhe sjelljen e saj dhe të idhullit politik, pastaj gjithçka ndryshoi si me magji.
Përveç se të keqen e sheh gjithmonë jashtë vetes dhe vetëm tek kundërshtari politik, Lulzimi bën edhe pohimin domethënës se ndasitë midis “demokratëve” janë joparimore. Me një fjalë, ai na thotë se të gjithë në PD janë njësoj dhe ndasia ka ndodhur për shkak të luftës për kreun e partisë. Ai shkon edhe më tutje, duke na folur për “vlerat, parimet dhe standardet tona si demokratë”.
Kur i dëgjon broçkulla të tilla, shqiptari i thjeshtë pyet veten: Mos e ka fjalën për falsifikimet dhe dhunimet e zgjedhjeve nga partia e vet dhe pushtetet e saj; për rrahjen, burgosjen dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve po nga pushteti i tij; për tentativat për marrje të pushtetit me dhunë apo konfrontimet e armatosura jug-veri të iniciuara nga partia e tij; për veprat e mëdha korruptive si ato në ndërtimin e “Rrugës së Kombit”, privatizimet e sektorëve të naftës apo komplekseve sportive etj.etj.?!
Lulzim Basha ishte dhe mbetet shembulli i spikatur, ndonëse jo i vetëm, i njeriut që hyn në politikë pa pasur parime dhe ideale, pa pasur personalitet dhe as individualitet politik, por thjesht nga etja për pushtet dhe ndihma rastësore dhe fatlume që rrethanat dhe politikanët e pamoralshëm dhe djallëzorë i japin kotësisë të ngjitet në fronin e madhështisë, madhështisë së rreme.
“Ylli në ngjitje” rezultoi një fishekzjarr i padobishëm, megjithëse i zhurmshëm.
Që nga koha kur u vendos formalisht si kryetar i PD-së, përveç sjelljeve antidemokratike që ia ofronte dhe e shtynte drejt tyre kryetari real që qëndronte në prapaskenë, L. Basha nuk ka pushuar së gajasuri popullin shqiptar, duke evokuar kohën kur ishte adoleshent dhe shkonte i veshur me pantallona të shkurtër nëpër mitingjet dhe demonstrimet e dhunshme të PD-së, si “antikomunist i lindur”.
Është përpjekur dhe vazhdon ende të na përrallisë me historinë “e lavdishme” të partisë që e mori nga hiçi, e bëri dikushi dhe e ktheu në hiç. Në 22 mars ai shkruante: “30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste… PD është shpresa e vetme e shqiptarëve…”.
Duke qenë një individ që nuk ka zënë fare mend nga rreth dy dekada përfshirje në politikë, ky kloun e mendon historinë e Shqipërisë sikur ka nisur me ardhjen në pushtet të PD-së, nuk sheh tek ajo kurrfarë gabimesh e fajesh, lëre më krime, e sheh të keqen e Shqipërisë vetëm tek kundërshtarët politikë të cilët s’e lejuan të rivinte në pushtet me “masakra elektorale” se, përndryshe, populli shqiptar po vdiste nga meraku dhe besimi tek ai.
Përveç se vetë fodull i klasit të parë, nuk pati rreth vetes asnjë këshilltar të mençur dhe dinjitoz që t’i tregonte se “diktatura komuniste” u përmbys qysh në dhjetor 1990 kur u lejua pluralizmi politik (sistemi kapitalist); se në 22 mars 1992 shqiptarët e votuan në shumicë PD-në për shkak të rrethanave historike dhe, mbi të gjitha, se nuk e njihnin; se vetëm katër muaj më vonë (sapo filluan ta njohin) shqiptarët e nxorën atë në opozitë; se duke zgjedhur PD-në e drejtuar nga një “minues i demokracisë dhe i korruptuar i madh” nuk ishte e mundur që shqiptarët të kishin fituar demokracinë; se demokracia nuk është parti politike dhe as pushtet i një partie, cilado qoftë ajo; se një parti politike që për 30 vjet nuk ka fituar asnjëherë 50% të votave dhe ka humbur në mënyrë spektakolare, edhe kur ka qenë vetë në pushtet, nuk është e mundur të jetë “shpresa e vetme e shqiptarëve”, etj.etj..
E vërteta historike është se, jo vetëm Lulzim Basha, por asnjë individ tjetër politik që do të merrte përsipër “vazhdimësinë” berishiste nuk do të mund ta bënte atë parti konkurruese dhe fituese të pushtetit qendror. Nuk mund të rikthehesh në pushtet duke mbajtur flamurin e teorive dhe praktikave që të kanë larguar dërmueshëm nga pushteti me votë plebishitare.
Për t’u bërë parti konkurruese dhe rifituese e pushtetit, sipas bindjes time, PD-së i nevojiten tre hapa: një ribashkim parimor dhe me marrëveshje nga të dy gjysmat e saj; një dënim parimor i gabimeve, fajeve dhe krimeve të kryer prej strukturave të saj politike dhe qeverisëse tash 30 vjet; zgjedhja e një kryetari të ri, duke e përjashtuar pamëdyshje Sali Berishën.
Vetëm një individ, politik ose jo, që nuk ka bërë pjesë asnjëherë në klanet e asaj partie, do të mund të bënte ribashkimin e vërtetë dhe të dobishëm. As ithtarët berishistë dhe as antiberishistët nuk do ta arrijnë rithemilimin demokratik të kësaj partie.
Sali Berisha ka më shumë se gjysmën e anëtarësisë partiake dhe të bërthamës votuese me vete dhe mund të rizgjidhet kryetar i partisë, por një parti e tillë, e cila rikthehet mbas 30 vitesh tek kryetari i vjetër, tashmë jo vetëm i plakur fiziologjikisht por edhe i diskredituar politikisht e moralisht, nuk ka gjasa të rivijë në pushtet. Dhe, as nuk duhet të rikthehet në pushtet.
Berishizmi përfaqëson përpjekjen individuale për krijimin e një partie politike për t’i shërbyer ngjitjes në pushtet të një individi dhe, pastaj, përdorimin e asaj partie politike kryesisht për interesat politike, dhe jo vetëm, të atij individi, sipas parimit të përsëritur të vetë Sali Berishës se “Pas meje u bëftë kiameti” dhe se “Me familjen dhe veten time nuk vë PD-në dhe asgjë tjetër”.
Jo vetëm Berisha, por edhe bërthama e “elitës” politike partiake që i vjen rrotull dhe i bën fresk janë individë politikë të sprovuar dhe të diskredituar. Berishizmi ishte dhe mbetet një hipokrizi e tejskajshme politike, një sjellje dhe praktikë vulgare, harbute dhe antidemokratike të cilën shqiptarët e kanë refuzuar dhe duhet ta refuzojnë masivisht.
Ndërsa deputeti demokrat Mark Marku pohoi, me të drejtë, atë që e dinë të gjithë shqiptarët, se “Partia Demokratike, kurrë në jetën e saj nuk ka bërë zgjedhje të lira e të ndershme”, kandidati këmbëngulës për të rimarrë drejtimin e saj dhe, njëkohësisht, fajtori kryesor për fajet dhe krimet e kryer nga qeverisjet përkatëse, z. Berisha bënte thirrje: “Bashkimi i demokratëve mbi bazën e kontributeve… rikthimi tek vota e lirë është rruga e vetme që sjell bashkimin dhe fitoren e PD-së”.
Duke u ndjerë triumfues brenda stanit të tyre politik, berishistët e thekur bëjnë thirrje sot për “katarsis, kthim në normalitet dhe tek karta e dikurshme morale”. Mirëpo, “katarsisin” ata e duan për nëntë vitet e fundit dhe jo për gjithë periudhën tridhjetë vjeçare. Kthimi në normalitet nuk është kthimi tek berishizmi, sepse berishizmi përfaqëson anormalitetin, por ikja prej tij, dënimi i tij dhe kthimi në parimet demokratike në marrëdhëniet brendapartiake dhe ato me popullin dhe sistemin pluralist.
Kthimi tek karta morale, që ata propagandojnë, është kthimi tek asgjëja, sepse këtë “kartë morale” PD-ja berishiste e ka humbur në korrik 1992 dhe s’e ka fituar kurrë më. Karta morale e berishizmit është kartë e skaduar pa të drejtë dhe mundësi rinovimi.
Një PD e ribashkuar rreth Sali Berishës do të ishte vetëm akti i n-të i demonstrimit të berishizmit, tashmë edhe me damkën e “non grata”-s. Individët brenda asaj partie që nuk kuptojnë ende se statusin i padëshiruar (“non grata”) Berishës ia ka dhënë populli shqiptar shumë kohë përpara se t’ia dërgonte peshqesh qeveria amerikane, nuk kanë as ndërgjegjen dhe as intelektin e nevojshme për t’i shërbyer popullit shqiptar dhe vendit.