Ish-zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ka thënë se për një vit sa është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje krijohet përshtypja se vendi nuk ka pasur qeveri të mirëfilltë.
Kjo pasi sipas tij, ndonëse për herë të parë Kosova pas zgjedhjeve, është formuar një qeveri që e vetme e ka shumicën, por që nuk ka bërë thuajse asgjë.
Deputeti i LDK-së, thotë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka qartësi për zhvillim ekonomik, politikë të jashtme dhe dialog.
“Për herë të parë në historinë e Kosovës kemi pasur një rezultat të zgjedhjeve që ka nxjerrë një qeveri të fuqishme. Kjo ishte dashur të përkthehet me shumë lehtësi për qeverisjen, për të kryer punë, për të dhënë vendime për të realizuar programin e tyre qeverisës. Fatkeqësisht për një vit qeverisje të krijohet përshtypja sikur Kosova nuk ka pasur Qeveri të mirëfilltë, më tepër një lloj qeverisje sepse nuk ka qartësi as për zhvillim ekonomik, as për masa që duhet të ndërmarrë, as për vizionin e tyre për ekonomi politikë të jashtme e dialog”, tha Selmanaj.