Policia e Tiranës ka arrestuar Endrit Jolldashin, i cili pesë ditë më parë i vendosi zjarrin makinës së drejtorit të UKT-së në derën e bashkisë së kryeqytetit, Taulant Tusha. Policia ka arritur që të identifikojë autorin përmes kamerave të sigurisë në qytet. Jolldashi lëvizi pa u shqetësuar me biçikletë duke kaluar mes për mes qytetit për të shkuar tek objektivi përpara derës së bashkisë ku ishte parkuar makina.
Pasi i hodhi shishen me benzinë dhe u sigurua se makina u përfshi nga flakët u largua me biçikletë për të humbur gjurmët mes lagjeve, por vetëm për pesë ditë, pasi u arrestua. Në shtëpi, sipas policisë i janë gjetur veshjet që ka përdorur ditën e ngjarjes dhe armë. Ende nuk dihet shkaku që i vendosi zjarrin makinës.
Zbardhet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, tentativa për djegien e automjetit në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Oktan”.
Vihet në pranga një 28-vjeçar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disaditore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Oktan”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. J., 28 vjeç, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Bazuar në provat e grumbulluara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 ka rezultuar se ky shtetas, më datë 25.03.2022, ka hedhur një shishe, të dyshuar me lëndë djegëse, poshtë një automjeti në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit E. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë), veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, një shishe plastike e mbushur me benzinë, një pushkë sportive (detare), një biçikletë dhe dy aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.