Sot pritet arrestimi i ish-deputetit Alqi Bllako. Në kërkesën e dorëzuar sot në GJKKO për arrestimin e ish deputetit Alqi Bllako, SPAK ka dorëzuar sot të tjera prova që implikojnë atë me persona të lidhur me inceneratorët. Referuar sistemit TIMS, rezulton që në 16.4.2019 Alqi Bllako ka udhëtuar me avion drejt Torinos së bashku me Klodian Zoton për t’u kthyer një ditë më pas, po së bashku, nga Roma në Rinas. GJKKO konfirmoi zyrtarisht se SPAK i ka dorëzuar kërkesën për caktim mase sigurie arrest me burg për ish-deputetin e PS Alqi Bllako.
Sipas SPAK në kohen kur Edmond Bllako, babai i ish-deputetit socialist Alqi Bllako merrte 6 mijë euro nga kompania e inceneratorëve në pozicionin e drejtorit të kantierit, në sistemin e tatimeve rezultonte i punësuar si brumë gatues në Ersekë. Babai i Alqi Bllakos përfitoi pagë 6000 € në muaj nga inceneratorët dhe në total ka përfituar mbi 14.9 mln lekë. SPAK i ka sekuestruar babait të Alqi Bllakos një apartament të blerë më datë 28.04.2020 që ka kushtuar 144 mijë euro, vlerë ekuivalente me shumën e përfituar.
Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Edmond Bllako (babai i shtetasit Alqi Bllako), është punësuar me funksionin “Drejtori Kantieri”, pranë shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, me aksioner shtetasin Klodian Zoto, e cila është shoqëria koncesionare për objektin “Ndërtim landfilli, inceneratorit dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese Tiranë”, nëpërmjet kontratës së punës, datë 25 tetor 2018, bërë ndërmjet shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, shpk dhe shtetasit Edmond Bllako, me pagë mujore 6,000 (gjashtë mijë) euro në muaj. bazuar në këtë kontratë pune rezulton se shtetasi Edmond Bllako nga muaji tetor i vitit 2018 deri në muajin janar të vitit 2020, ka përfituar shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Nga hetimet rezulton e provuar se për të njëjtën periudhë si më sipër (2018-2020) në shoqërinë “Integrated Energy BV SPV” shpk kanë punuar dhe janë paguar si Drejtor Kantieri për inceneratorin Tiranë shtetasit Enid Dine, Ilirjan Priftaj, Elton Bualli, të cilët njëri pas tjetrit kanë qenë të pranishëm gjatë punës në kantier dhe kanë ushtruar realisht funksionin e drejtorit të kantierit. Nga dokumentacioni i administruar në shoqërinë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” shpk, (ditari i punimeve të bëra) rezulton se gjatë periudhës 2018-2020 shtetasit Enid Dine, Ilirjan Priftaj, Elton Bualli, me funksionin e drejtorit të kantierit janë paraqitur rregullisht në kantier.
Të pyetur rreth këtij fakti këta shtetas kanë deklaruar se gjatë periudhës që ato kanë mbajtur pozicionin e Drejtorit të Kantierit shtetasi Edmond Bllako është paraqitur dy-tre herë në kantier, por nuk kanë dijeni për pozicionin e punës së tij. Gjithashtu, kanë deklaruar se në organikën e shoqërisë ka pasur të përcaktuar si funksion vetëm një drejtor kantieri, i cili e ka pasur zyrën gjatë gjithë kohës brenda kantierit. po ashtu deklaruesit, kanë shpjeguar se instruktimin teknik të punonjësve, përfshirë edhe Drejtorin e Kantierit, e ka kryer shoqëria e kontraktuar ‘PRSP Health’”, thuhet në dosje.