Altin Marku që u arrestua pasditen e sotme në Lezhë për plagosjen e zyrtarit të bashkisë, kreut të njësisë administrative Kallmet është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ka një plagë arme zjarri në këmbë. Ai ka deklaruar se ishte Besnik Simoni që qëlloi i pari dhe më pas reagoi duke u kundërpërgjigjur.
Ende nuk janë sqaruar rrethanat e ngjarjes, por dyshimet kryesore janë të jetë plagosur nga kundërpërgjigja me armë që mund të ketë bërë Besnik Simoni.
Arratia e Altin Markut mori fund pasdite, pasi RENEA dhe FNSH së bashku me policinë lokale rrethuan zonën duke e neutralizuar.
Bashkë me autorin që u kap në një banesë në Kallmet, u sekuestrua edhe arma e krimit me të cilën qëlloi mbi Besnik Simonin.
Marku mesditën e sotme i shkoi në zyrë Simonit për të sqaruar një sherr të vjetër, por pas debatit që ishte i fortë u largua dhe i bëri pritë rreth 1 km nga godina duke qëlluar ndaj tij teksa po largohej në një makinë.
Besnik Simonin e kapën tre plumba dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Personin tjetër që ishte në makinë me Simonin nuk e kapi asnjë plumb, por mbetet për t’u sqaruar se kush iu përgjigj me armë autorit.