Sali Berisha nuk e ka marrë totalisht nën kontroll Partinë Demokratike. E ndërsa pak ditë më parë Floriana Garo mori zotërimin e grupit të “Whatsapp”-it, faqja e PD-së në Facebook vazhdon të menaxhohet nga njerëzit e Lulzim Bashës.
Sonte në faqen e PD-së në Facebook, partia më e madhe në opozitë, tashmë e ndarë në dysh ka shpërndarë një postim të degës së PD-së në Durrës që kundërshton zgjedhjet brenda degëve për strukturat e reja.
“Partia Demokratike e Shqipërisë, Dega Durrës në mbledhjen e sotme me strukturat drejtuese kundërshton me forcë procesin e manipuluar të zgjedhjeve të njëanëshme që po zhvillohen në Durrës. Në të gjithë Grupseksionet ku janë zhvilluar emërimet, pjesëmarrja e anëtarësisë ka qenë në nivelet 20-25%.
Ndryshe nga sa propagandohet në media nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit për bashkim, i gjithë procesi reflekton përçarje dhe jo bashkim. Të gjithë së bashku ramë dakord se do të vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur për bashkim, bashkim i cili duhet të mbështetet në vlerësimin e kontributeve të gjithësecilit, në një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe ku të garantohet vota e lirë” thuhet në postimin e degës së PD-së Durrës.