Nisin negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Paraditen e sotme do të zhvillohet raundi i parë i negociatave mes shumicës dhe opozitës.
Në Kryesinë e Kuvendit sot do të zhvillohet një takim mes grupit të caktuar nga PS, që janë sekretari i përgjithshëm Damian Gjiknuri, kryetari i grupit Taulant Balla dhe ministres së shtetit Elisa Spiropali me kryetarin e grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Pavarësisht se opozita është më e përçarë se kurrë, Alibeaj do të negociojë për emrin e ri të kreut të shtetit, por nuk dihet nëse grupi i deputetëve e ka mandatuar për këtë lëvizje.
Dy ditë më parë nga Shkodra, Sali Berisha tha se nuk do të votojë kandidatët e Ramës dhe se PD nuk ka asnjë emër. “Nuk kam një emër për President për të propozuar.
Opozita nuk propozon emra. Nuk votojmë kandidatët e Edi Ramës. Kjo do të thotë të çojmë në presidencë kopjen e tij. Konsensusi me Edi Ramën është të puthesh me judën” tha ai. Por Enkelejd Alibeaj dhe deputetë të tjerë e kundërshtuan këtë qëndrim të Berishës.
Fakti që Alibeaj do të negociojë me socialistët pritet që të sjellë të tjera reagime në selinë blu nga grupi i Berishës. Ish-kryeministri tha tre net më parë se Lulzim Basha dëshiron që të bëhet president.
Pritet për t’u parë nëse Alibeaj do ta propozojë emrin e ish-kryetarit të tij. Në Korrik, Ilir Metës i mbaron mandati.









