Socialistët mblidhen të shtunën në Pallatin e Kongreseve për të ndryshuar strukturat dhe statutin e partisë.
Kongresi i datës 9 prill do të miratojë statuti i ri përmes së cilit do të përcaktohen rregullat e reja në parti. Socialistët kanë vendosur të ndryshojnë përmes nenit 12 të Statutit të ri, simbolin, stemën dhe flamurin e Partisë. Simboli i ri i PS-së paraqet një grusht të mbledhur, i cili mban një trëndafil të kuq, kurse stema është në formë rrethi me ngjyrë të gjelbër. Në relacionin që shoqëron projektin e statutit të ndryshuar thuhet që këto amendime janë të diktuara nga fitorja e mandatit të tretë, pasi qenia gjatë në pushtet e një partie dikton adoptimin e një sjellje të re përballë sfidave qeverisëse.
Veç thjeshtimit të librit të rregullave të socialistëve, që Kryeministri mendon që duhet të jetë i kuptueshëm nga e gjithë anëtarësia, një ndryshim thelbësor është ai për të futur një strukture të re në çdo degë partie atë të Sekretariatit Ekzekutiv. Kjo strukturë administrative/ekzekutive që zgjidhet nga Sekretariati ekzekutiv i Partisë do të jetë përgjegjës për çdo aspekt administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie, i cili përgjigjet njëkohësisht te kryetari i partisë në Bashki dhe në Sekretariatin Ekzekutiv në selinë qendrore. Për herë të parë, do të ngrihet Sekretariati Ekzekutiv në nivel bashkie. Roli i tij do të jetë raportimi nga baza e partisë në selinë qendrore. Në statut do të përcaktohet edhe roli i drejtuesit politik të qarkut, duke i dhënë këtij atributet e drejtimit më të lartë politik të strukturave të partisë në nivel qarku.
Konkretisht, një nga risitë e Statutit është Sekretariati Ekzekutiv (Kancelari) në nivel bashkie. Sekretariatit Ekzekutiv (Kancelari) në nivel bashkie, si organ që përzgjidhet nga Sekretariati Ekzekutiv i Partisë dhe është përgjegjës për çdo aspekt administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie, i cili përgjigjet njëkohësisht te kryetari i partisë në Bashki dhe në Sekretariatin Ekzekutiv në selinë qendrore. Ky funksion i ri do të jetë me kohë të plotë dhe do të përgjigjet për të gjithë anën dokumentare, administrative, kuotizacionin, duke ndjekur dhe raportuar zbatimin e akteve të organeve më të larta të partisë në nivel vendor.
Grupi i punës, i cili ka punuar për statutin ka propozuar futjen në statut të drejtuesve politikë si anëtarë të Kryesisë së Partisë Socialiste, pasi deri më sot ky rol është marrë pa një vendim statutor. Kongresi i të shtunës, veç fjalës së kryesocialistit ka në axhendë dhe një analizë për punën e qeverisë, si dhe sfidat e maxhorancës për zgjedhjen e Presidentit, si dhe përgatitja për zgjedhjet lokale 2023. Kongresi i PSsë që do të mbahet më 9 prill do të nisë në orën 12:00 dhe do të mbyllet në orën 15:00.
Ndryshimi, nga zgjidhja e krerëve të rinj të degëve te sekretari ekzekutiv
PS-ja ka vendosur të ndryshojë procedurat e zgjedhjes së krerëve të rinj të degëve. Konkretisht në nenin 26 të statutit të PS-së përcaktohet mënyra se si do të zgjidhen kryetarët e rinj të degëve, të cilët kanë një mandat 4-vjeçar. Neni 26 përcakton qartë se: 1. Kryetari i partisë i bashkisë përzgjidhet mes kandidatëve të propozuar nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të bashkisë dhe me miratimin e Kryesisë sipas procedurës së përcaktuar në Librin e rregullave; 2
. Mandati i kryetarit të partisë të bashkisë është, si rregull, katër vjet. Ai ndërpritet para kohe kur kryetari i partisë i bashkisë:
a. Jep dorëheqjen;
b. Shkarkohet nga Kryesia e Partisë për dobësi në punë e shkelje të normave të Statutit dhe etikës;
c. Humbet besimin e anëtarësisë dhe të organizatave socialiste të bashkisë, nuk fiton në mocionin e votëbesimit të zhvilluar për të;
d. Humbet në zgjedhjet vendore ose arrin rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme politike në bashkinë përkatëse;
3. Në rastet e mësipërme, mandati ndërpritet automatikisht. Në mungesë të kryetarit të partisë të bashkisë, detyrat e tij i kryen Sekretari ekzekutiv, ose një i ngarkuar nga Kryesia e Partisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
4. Kryetari i partisë i bashkisë është anëtar i Asamblesë Kombëtare (AK), si përfaqësues i anëtarësisë së partisë të bashkisë përkatëse;
5. Kriteret, procedura e zgjedhjes dhe e shkarkimit si dhe detyrat kryesore të kryetarit të partisë të bashkisë përcaktohen në librin e rregullave.
Libri i rregullave, çfarë parashikon neni 27 i Statutit
Një ndryshim thelbësor në statutin e PS-së është ai për të futur një strukturë të re në çdo degë partie atë të Sekretariatit Ekzekutiv. Konkretisht, neni 27 përcakton mënyrën se si do të zgjidhet Sekretariati Ekzekutiv në nivel bashkie.
Sekretari Ekzekutiv do zgjidhet në nivel bashkie dhe do të jetë punonjës me kohë të plotë dhe përgjigjet për administrimin e aktivitetit të përditshëm të partisë.
1. Pranë çdo Asambleje Socialiste të Bashkisë ngrihet Sekretariati Ekzekutiv që drejtohet nga një person i përzgjedhur nga Sekretariati Ekzekutiv i partisë, i cili do të ushtrojë funksionin e sekretarit Ekzekutiv;
2. Sekretari Ekzekutiv i partisë në nivel bashkie është punonjës me kohë të plotë dhe përgjigjet për administrimin e aktivitetit të përditshëm të partisë, dokumentacionin, burimet materiale dhe çdo aspekt tjetër administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie. Në punën e tij ai mund të ndihmohet dhe nga staf mbështetës;
3. Për zbatimin e detyrave të tij sekretari Ekzekutiv përgjigjet përpara kryetarit të Partisë së Bashkisë, si dhe Sekretariatit Ekzekutiv të PS-së;
4. Kriteret, procedura e përzgjedhjes, kushtet e punës, paga, mënyra e raportimit, struktura, si dhe detyrat funksionale të sekretarit ekzekutiv të partisë së bashkisë përcaktohen në librin e rregullave./ Panorama