Pavijoni i Kosovës në edicionin e këtij viti të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia është në “ndërtim” e sipër në qytetin italian. Por informacionet e përfaqësimit të shtetit më të ri të Evropës në këtë ngjarje të artit tashmë gjenden edhe online. Të enjten është publikuar faqja e internetit nëpërmjet së cilës në shqip e anglisht jepen informacione për ekipin që përfaqëson Kosovën bashkë me temën e pavijonit shtetëror. Ekipi tashmë ka mbërritur në Venecia.
“Jemi në Venecia, duke punuar në instalimin e veprave. Jemi në proces dhe gjithçka po shkon mirë”, ka thënë Engjëll Berisha, koordinator përgjegjës për marrëdhënie me publikun i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias.
Në faqe bëhet e ditur se “The Monumentality of the Everyday” (Monumentaliteti i përditshmërisë) i Jakup Ferrit, me kuratore gjermanen Inke Arns, do të hapë dyert në fundprill për t’u mbyllur në fund të nëntorit. Paraqiten disa vepra të Ferrit, kryesisht vizatime e tapiceri të cilat do ta “veshin” Pavijonin e Kosovës duke iu përgjigjur titullit të caktuar nga ekipi.
“Faqja është kompletuar. Por do të shtohen lajme”, ka thënë Berisha, shkurt gjatë ditës së enjte, nëpërmjet komunikimit online.
Në tekstin e kuratores Arns që është publikuar në faqe, shkruhet se në Bienalen e 59-të të Artit 2022, Jakup Ferri i prezanton pikturat, qëndisjet dhe qilimat në një instalacion të madh specifik. Sipas saj, shumë prej vizatimeve të Ferrit, në të cilat janë të vendosura qëndisjet dhe pikturat, tregojnë skena të përditshmërisë që përfshijnë kafshë, fëmijë, akrobatë, muzikantë dhe aktivitete sportive, si noti, zhytja dhe çiklizmi.
“Dhe pastaj është ky aspekt i gjuhës popullore që kthehet në surealitet, ose magji, si kafshët që flasin ose bëjnë muzikë, njerëzit që kthehen në zogj, njerëzit që bëjnë muzikë për kafshët apo edhe bëhen kafshë ose krijesa hibride. Shumë shpesh ka ndërlidhje poetike ndërmjet njerëzve, kafshëve dhe objekteve, të cilët e shikojnë njëri-tjetrin dhe kështu krijojnë vija të shikimit – si dialogë të heshtur – duke sugjeruar mënyra të reja potenciale të bashkëpunimit dhe komunikimit”, ka shkruar kuratorja gjermane. Sipas saj, punimet e Ferrit janë frymëzuar nga vizatimet e fëmijëve, arti popullor dhe i ashtuquajturi art i jashtëm. Aty shfaqen skena intime nga përditshmëria, me protagonistë të lumtur, kryesisht me ngjyra të ndezura. Ajo tregon se tapiceritë e punuara me dorë nga seria e punimeve “Tintirinti” (2021) janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë midis artistit dhe djalit të tij Jip.
“Shumë ndryshe nga pikturat e detajuara dhe qëndisjet, ato tregojnë modele grafike në shkallë të gjerë. Frymëzuar nga lojërat kompjuterike dhe estetika 8-bit, ato përbëhen nga fusha të gjera ngjyrash të kundërta”, ka shkruar Arns.
Jakup Ferri, ai është artisti i parë i zgjedhur me anë të thirrjes publike nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kosova prezantohet në Venecia prej 10 vjetësh. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019 nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). E për shkak të pandemisë, Bienalja e Arkitekturës e planifikuar të mbahej në vitin 2020, ishte shtyrë për vitin 2021. Ndaj, ajo e artit do të mbahet këtë.
Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës.
Jakup Ferri, temës së përcaktuar nga Bienalja – “The milk of dreams” – do t’i përgjigjet me “Monumentalitetin i përditshmërisë”, që mund të shihet si propozim për të ardhmen dhe si shpresë.
Është kuratorja Cecilia Alemani, ajo që ka përcaktuar temën “The milk of dreams” (Qumështi i ëndrrave). “Kjo ekspozitë është e bazuar në shumë biseda me artistë që janë zhvilluar gjatë muajve të fundit. Pyetjet që vazhduan të ngriheshin duket se kapin këtë moment të historisë, kur vetë mbijetesa e specieve kërcënohet, por edhe përmbledhin dyshimet që përshkojnë shkencat, artet dhe mitet e kohës sonë”, kishte thënë kuratorja kur bëri të ditur temën në prill të vitit të kaluar.