Seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u shty për shkak të mungesës së dy avokatëve të tij, Ardian Visha dhe Henrik Ligori. Gjykata e vendosi gjobën prej 5 mijë lekësh për të dy avokatët, pasi kërkuan ekspertët ushtarakë për seancën e kësaj të mërkure.
Njëri nga ekspertët, Fatmir Bozdo, i cili është 72 vjeç dhe ka probleme shëndetësore, njoftoi gjykatën se nuk mund të paraqitet për herë tjetër për shkak të gjendjes së tij. Seanca e radhës për çështjen “Gërdeci” u caktua për 18 dhjetor në orën 09:00.
Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” të kryer në bashkëpunim lidhur me shpërthimin në Gërdec, që ndodhi në vitin 2008.